Home Aktuale Fillimi i vitit shkollor me pakënaqësi e protesta në Luginë

Fillimi i vitit shkollor me pakënaqësi e protesta në Luginë

1078
0
SHARE

Në shkollat shqipe në Luginën e Preshevës sot u mbajtën protesta të qeta me kërkesën për tekste mësimore në gjuhën shqipe.

Protesta u zhvillua në disa shkolla në Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë, por në të shumtën e rasteve në mënyrë simbolike, u përcoll pakënaqësia lidhur me gjendjen e rëndë të arsimit shqip dhe mungesën e pajisjes me tekste dhe materiale shkollore në gjuhën shqipe.

Derisa po zhvillohej kjo protestë në të shumtën e shkollave, në rajonin e Luginës ka qëndruar sot ministri serb i Arsimit Srgjan Verbiç, i cili në mënyrë formale ka shpërndarë disa libra falas nëpër disa shkolla të Preshevës dhe Bujanocit e Medvegjës.

Kryetari i komunës së Bujanocit Nagip Arifi ka thënë se shkollat në Preshevë dhe Bujanoc, ku mësimi vijon në gjuhën shqipe, është mbajtur protesta nga ora 10 deri ora 12, për shkak të mungesës së teksteve në gjuhën amtare.

Arifi pas takimit me minstrin e arsimit dhe shkencave Srgjan Verbiq ka thënë se për mësimin nga klasa e parë deri në klasën e katërt mungojnë tri tekste mësimire, ndëra për nxënësit e klasave më të larta më shumë.

“Për mësim në shkollat e mesme, nuk ka asnjë tekst në gjuhën shqipe. Ministri këtë e di, por ka premtuar se të gjithë nxënësit shqiptar në Serbi do të kenë së shpejti tekstet në gjuhën amtare” ka thënë Arifi pas takimit me ministrin.

Ministri Verbiq, ka thënë se është i kënaqur në takimin me kryetarin Arifi, dhe se “kryesisht” pajtohet me kërkesat dhe sygjerimet për të përmirësuar kushtet për mësim.

“Ajo për të cilën ne nuk pajtohemi është dinamika me të cilën do të përmbushen pasi ekziston ndalesa për të punësuar njerëz të ri në administratë publike dhe zgjedhjet për Këshill Nacional të Shqiptarëve. Pasi ti përfundojmë këto zgjedhje, do të fillojmë ti zgjidhim problemet” ka thënë Verbiq.

Ai ka thënë se është i sigurt që vitin e ardhshëm do të ketë edhe më shumë tekste në gjuhën shqipe që do të jenë shumë kualitativ.

Verbiq ka thënë se në Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë janë shpërndarë 2400 libra nga programi i teksteve falas, të cilat i financon buxheti shtetërorë.

Ministri i arsimit tha se ka qenë i njoftuar për protestën që do të mbahet në shkolla, por orët në shkollat e Bujanocit që ai i kishte vizituar, ishin mbajtur në mënyrë normale.

Kryetari i trupit Koordinues Zoran Stankoviq ka thënë se në 4 vitet e kaluara janë miratuar 88 tekste në gjuhën shqipe ndërsa këtë vit janë lejuar edhe 16 tekste mësimore nga Shqipëria./LuginaPress