Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Tracey Ann Jacobson, ka thënë se është shumë e rëndësishme që zgjedhjet nacionale në vendin tonë të jenë demokratike dhe të lira. Ajo ka thënë se Kosova është në rrugë të mirë sa i përket hartimit të ligjeve, por ka shtuar se ky legjislacion nuk po gjen zbatim të duhur, andaj ka kërkuar që të votohen liderët të cilët do të garantonin ligjshmëri në vendin tonë.
Ajo ka kërkuar që të votohen liderët, të cilët do të garantonin ligjshmëri në vend.
Në një ligjëratë të mbajtur para studentëve në Fakultetin Filozofik në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, Jcobson ka thënë se zgjedhjet lokale ishin shumë mirë të organizuara dhe ka shtuar se zgjedhjet e 8 qershorit mund të jenë të atij lloji apo ndoshta edhe më të mira.
“Mund të mbahen zgjedhjet me rregull me standarde evropiane. Unë jam e sigurt që mund të shohim zgjedhje të tilla edhe këtë herë, nëse të gjithë e luajnë rolin e nevojshëm. Së pari partitë politike duhet të luajnë rol të rëndësishëm. Nuk është sekret që unë kam mbledhje me udhëheqës politikanë edhe sot në mëngjes ne kishim një mbledhje për rëndësinë e zgjedhjeve dhe transparencën. Sundimi i ligjit është gjithashtu shumë i rëndësishëm. Vitin e kaluar ne kishin 50 prokurorë në teren gjatë zgjedhjeve, njëjtë do të jetë edhe në këtë kohë”, ka thënë ajo, transmeton KP.
Ambasadorja i ka porositur studentët dhe përfaqësuesit e mediave që nëse shohin ndonjë gabim gjatë ditës së votimit, ta raportojnë atë menjëherë.
Megjithatë, Jacobson ka thënë se është optimiste se zgjedhjet do të jenë mirë të organizuara për shkak të rinisë e cila e përbën një përqindje të madhe në Kosovë.
Jacobson tha se bashkësia ndërkombëtare nuk do të pranojë asgjë më shumë se zgjedhje të lira.
“Në zgjedhjet e kaluara lokale e kemi parë që çdo votë llogaritet dhe çdo votë e ka rëndësinë e vet nga ana jonë, Bashkësia ndërkombëtare nuk do të pranojë asgjë më pak se sa zgjedhje transparente dhe as ju nuk duhet të prisni diçka më pak”, është shprehur ajo.
Jacobson ka diskutuar me studentë, prej të cilëve ka pasur edhe pyetje të ndryshme, siç është liberalizimi i vizave, për çka ka thënë se Kosova është në rrugë të mirë sa i përket këtij procesi, por se duhet t’i kryejë edhe disa punë të shtëpisë.
Ajo i ka porositur të gjithë të votojnë, derisa u ka thënë që para zgjedhjeve t’i dëgjojnë të gjithë liderët dhe pretimet e tyre, por në ditën e votimit t’i votojnë ata të cilët mendojnë se pas zgjedhjeve do t’i dëgjojnë kërkesat e qytetarëve.
Ajo e ka pranuar se i ka mbledh udhëheqësit e partive politike për të biseduar, por ka shtuar, se si ambasadore, asnjëherë nuk urdhëron se si duhet të veprohet por vetëm jep këshilla. /Telegrafi/






