Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara po diskuton për situatën në Kosovë në një seancë në të cilën marrin pjesë presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, dhe presidenti i Serbisë Tomislav Nikolic.
Në këtë takim do të diskutohet për raportin më të ri të sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon, mbi zhvillimet në Kosovë nga janari deri në mesin e prillit të këtij viti.
Raporti veç tjerash përmend sfidat e zbatimit të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të arritur në prill të vitit 2013 në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian. Zbatimi i marrëveshjes dhe vazhdimi i bisedimeve janë ndërprerë për shkak të zgjedhjeve të majit në Serbi dhe zgjedhjeve të 8 qershorit në Kosovë.
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga foli për këto çështje, në një intervistë nga studioja e Zërit të Amerikës në New York.
“Takimi i radhës i Këshillit të Sigurimit të OKB-së është një mundësi e mirë për të prezantuar të arriturat e Kosovës në këta muaj të fundit dhe për të dhënë një pasqyrë të plotë të zhvillimeve pozitive në vend”, tha ajo. “Kosova sot është një shtet i qëndrueshëm, me demokraci të brendshme dhe një shtet që respekton vlerat e qytetarëve… Periudha e armiqësisë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka përfunduar dhe ne jemi duke ecur rrugës së dialogut. Prandaj, paraqitja në Këshillin e Sigurimit për Kosovën ka kuptimin e prezantimit të saj si një shtet i gatshëm për të marrë obligimet ndërkombëtare”.
Sipas saj, dialogut është e vetmja mundësi për të gjetur zgjidhje për çështjet që i kemi trashëguar nga e kaluara. Ndërkaq, e pyetur për zgjedhjet e 8 qershorit, ajo shprehet “do të kemi zgjedhje të drejta, demokratike, të lira gjithëpërfshirëse dhe një proces të ndershëm”.






