Home Aktuale Shteti duhet ta mbrojë luftën çlirimtare

Shteti duhet ta mbrojë luftën çlirimtare

726
0
SHARE

Deputeti i PDK-së, Arsim Bajrami, pas vendimit të Kuvendit të Kosovës për themelimin e Gjykatës Speciale për krime lufte, ka thënë se Qeveria duhet t’u ofrojë ndihmë shtetërore të gjithë atyre individëve të cilët do të përballen me këtë gjykatë.

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Arsim Bajrami, i cili mban edhe postin e nënkryetarit në këtë subjekt politik, ka thënë se Qeveria e Kosovës duhet të përcjellë në Kuvend një projektligj me anë të të cilit do të ofrohej ndihma juridike për të gjithë shtetasit e Republikës së Kosovës që do të përballen me Gjykatën Speciale, e cila do të merret me pretendimet e senatorit zviceran Dick Marty për krimet e supozuara të UÇK-së.

Në një bisedë për “Epokën e re”, Bajrami ka thënë se me këtë projektligj Qeveria e Kosovës do duhej t’i heqë të gjitha shpenzimet e mbrojtjes për të gjithë shtetasit e Republikës së Kosovës që ndeshen me Gjykatën Speciale.

“Qeveria duhet të sjellë një projektligj që ofron ndihmën juridike për personat të cilët do të jenë aktualisht të akuzuar pranë kësaj gjykate. Edhe shtetet e tjera në rajon kanë krijuar fonde shtetërore publike për t’u dhënë ndihmë këtyre personave. Pra, për t’u ofruar një mbrojtje me të cilën argumentohet pafajësia e tyre, sepse nuk është një çështje krejt individuale, por është çështje e kredibilietit shtetëror dhe kredibilitetit të drejtë të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Dhe shteti e ka për obligim që personave t’ua ofroj ndihmën juridike për ta argumentuara pafajësinë e tyre”, ka deklaruar Bajrami.

Bajrami ka thënë se nëpërmjet këtij projektligji, i cili do të shndërrohet në ligj, Qeveria e Kosovës do t’ua heqë të gjitha shpenzimet shtetasve të Kosovës të cilët do të ballafaqohen me këtë gjykatë.

“Jo fond, por do ta krijonte mundësinë që Qeveria e Kosovës t’i heqë të gjitha shpenzimet e mbrojtjes për të gjithë shtetasit e Republikës së Kosovës që ndeshen me këtë gjykatë”, është shprehur Bajrami. Sipas Bajramit, praktikë të tillë ka ndjekur edhe Kroacia gjatë përballjes me Tribunalin e Hagës. “Shteti i Kosovës nuk i konteston proceset e drejta gjyqësore, por qytetarëve të Kosovës ua ofron ndihmën juridike të kenë mbrojtje kualitative. Një praktikë të tillë e ka pasur edhe Kroacia, e kanë pasur edhe shtetet e tjera që janë ballafaquar me Tribunalin e Hagës”, ka deklaruar Bajrami.

Ai ka thënë se institucionet e Kosovës obligohen që shtetasve të saj t’u dalë në mbrojtje ndaj akuzave që kanë të bëjnë me luftën çlirimtare.

“Shteti obligohet që shtetasve të Kosovës, të cilët ndeshen me akuza që kanë të bëjnë me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, t’u ofrohet ndihma financiare për ta argumentuar pafajësinë e tyre”, është shprehur Bajrami. I pyetur nëse ky ligj do të vijë në Kuvend para se të mbahen zgjedhjet parlamentare, Bajrami ka bërë me dije se kjo do të varet nga Qeveria se kur do ta prezantojë këtë projektligj.