Të gjithë druhen se ajo që ndodhi në Krime nuk është akti i fundit i një historie që mund të shkojë shumë larg.
Disa media flasin që tani për Luftën e Tretë Botërore, ndërsa ekspertët prej ditësh thonë se të tjera krahina apo rajone autonome mund t’i bashkohen Rusisë.
Në radhë duket Transdniestria, një rajon në Moldavi, që prej kohësh pretendon të bashkohet me Rusinë.
Ministrja e këtij rajoni, që kujdeset për marrëdhëniet me jashtë, 36- vjeçarja Nina Shtanski, i ka bërë thirrje presidentti rus, Vladimir Putin, që t’i pushtojë.
“Ne jemi të lumtur që të themi se rezultati i referendumit në Krime koincidon thuajse plotësisht me referendumin në Transdniestria më 17 shtator 2006, kur 97 përqind e votuesve kërkuan bashkimin me Rusinë,” tha ajo.
“Bota ruse po bashkohet dhe vullneti i popullit nuk mund të ndalet”.
Në këtë rajon janë më shumë se 1300 forca ruse, që shërbejnë si ‘paqeruajtës’.
Ndërkohë raportohet se në këtë rajon janë parë shumë agjentë rusë kohët e fundit.
Ky rajon ka rreth 509 mijë banorë.








