Home Aktuale Në veri, si në Serbi!

Në veri, si në Serbi!

730
0
SHARE

Dekore të dizajnuara enkas për zgjedhjet e Serbisë, me sllogane, flamuj partiakë e shtetërorë, billborde gjigande me liderë serbë dhe të ngjajshme, janë vendosur në pjesë të ndryshme të veriut të Mitrovicës, por edhe më gjerë.

Burime të Kosovapress-it bëjnë të ditur se ekziston një urdhër i prerë me shkrim i autoriteteve policore nga Prishtina, që ka arritur në stacionin policor në veri të Mitrovicës, për heqjen e çfarëdo simboli që identifikon zgjedhjet serbe të 16 marsit në territorin e Kosovës, mirëpo policia e Kosovës në veri, nuk ka ndërmarrë asgjë për të zbatuar këtë urdhër.

Qytetarët shqiptarë në veri të Mitrovicës, ndjehen të shqetësuar për një gjë të tillë, ndërsa kritikojnë autoritetet kosovare për mos zbatim të ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës edhe në këtë pjesë të vendit.

“Banoj thellë në veri të qytetit, krejt afër Jugopetroollit dhe çdo ditë udhëtoj këmbë veri-jug dhe anasjelltas, por kjo që po shoh ditët e fundit me këta flamuj, billborde dhe fotografi të liderëve të Serbisë, vërtetë më shuan ndjenjën se jetoj në Kosovë. Çka të them, jemi sikur në Serbi”, ka thënë B.J., banor shqiptar nga veriu i Mitrovicës.

Në anën tjetër, zëvendës drejtori i policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Besim Hoti, ka pranuar se ka fotografi të liderëve të ndryshëm serbë nëpër qytet, që mbase sipas tij, janë të përziera edhe me fotografi nga zgjedhjet e kaluara në Kosovë.

Ai nuk ka mohuar urdhërin e autoriteteve më të larta policore të Prishtinës për largimin e fotografive dhe simboleve të cilat identifikojnë zgjedhjet që do të mbahen më 16 mars në Serbi.

“Ka një urdhër nga niveli qendror i Policisë së Kosovës që vlen për mbarë territorin e Kosovës, jo vetëm për veriun. Të shohim si do të veprohet ditët në vijim”, ka thënë për Kosovapress Hoti.

Ndryshe, autoritetet shtetërore të Kosovës kanë përsëritur disa herë se nuk do të lejojnë mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare të Serbisë në Kosovë, ashtu siç kanë paraparë zyrtarë të Serbisë, ngase marrëveshja për normalizim e Brukselit, i ka dhënë fund çdo ndërhyrjeje të Serbisë në punë të brendshme të Kosovës.

LEAVE A REPLY