Për shkak të dëbimit të liderit të Partisë Demokratike të Serbisë, Vojislav Kostunica, nga territori i Kosovës, rreth 100 serbë në orët e pasdites kishin bllokuar pikën kufitare Kosovë-Serbi në Jarinë.
Qëllimi i Kostunicës ishte mbajtja e një tubimi elektoral me qytetarët serbë të Mitrovicës së veriut.
Pasi ishte dëbuar nga Policia e Kosovës deri në pikën kufitare, Kostunica kishte thënë se nuk do të largohet nga kjo pikë kufitare derisa t’i lejohet hyrja në Kosovë, por, siç mësohet, ai është larguar pasi i është thënë se pengimi i tij për të hyrë në Kosovë është urdhëruar nga Ministri i Brendshëm, Bajram Rexhepi.
Ndërkaq, ai ka thënë se me këtë veprim, EULEX-i ia ka shkelur të drejtat e njeriut atij duke shkelur kështu marrëveshjen për lëvizje të lirë.
Kostunica ka thënë se për shkak të EULEX-it nuk ka mundur të mbajë tubimin elektoral, ndërkaq për pasojë, tubimi është mbajtur në Jarinë, transmeton Koha.net.
“U treguam se edhe Jarina është pjesë e Serbisë”, u ka thënë Kostunica rreth 500 të pranishmëve, të cilët po mbanin në duar flamuj të Serbisë dhe po brohorisnin “Nuk e japim Kosovën”, e parulla tjera nacionaliste. /Telegrafi/






