Erdhi radha që të hyjmë edhe në Shekullin e Dytë të kremtimit të festës tonë të madhe, Ditës së Flamurit. Të kremtosh i 103 vjetorin e krijimit të shtetit të parë shqiptarë është një ndjenjë e veçantë të cilën nuk e ka çdo popull i botës. Nga 1912-ta e këndej kemi kaluar nëpër sfida të shumta por si komb kemi arritur edhe shumë suksese. Para shtat vitesh sakrifica e gjeneratava të shumta rezultoi me pavarsinë e Kosovës, me ç’rast, si pak kush u bëmë me dy shtete. Edhe në aspektin e sigurisë e të përparimit demokratik nuk kemi qenë kurrë më të fortë e të avancuar, ngase kemi Shqipërinë në NATO e shumë shpejt edhe pjesë të Bashkimit Evropian. Shpresojmë se në këto institucione së shpejti do të inkuadrohemi edhe pjesa tjetër e kombit, në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe Luginë. Si rezultat i këtyre integrimeve, medoemos do të përmirësohet edhe pozita jonë në Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë. Me një fjalë, jemi në prag të përmbysjes së padrejtësive që na u janë bërë në të kaluar dhe me kaq miq që kemi gjithandej globit, nuk kemi arsye pse të trembemi para ardhmërisë sonë të ndritshme. Kur i kemi parasyshë të gjithë këto premisa nuk kemi ndryshe përveç se të ndihemi krenarë që jemi shqiptarë. Krenarinë më tepër na e shton edhe shkaba jonë dykrenarshe për të cilën u flijuan shumë gjenerata dhe me të cilën u mburrën shumë të tjera, nga Skënderbeu e deri në ditët tona. Andaj, të dashur bashkombas të komunës së Bujanocit, Luginës dhe gjithandej trojeve tona etnike , nga thellësia e zemrës ju uroj Ditën e Flamurit tonë kombëtarë ! Zoti e bekoftë flamurin tonë, Zoti i bekoftë shqiptarët!
Me rrespekt, Dr. Nagip Arifi-kryetar i komunës së Bujanocit dhe kryetar i Partisë Demokratike






