Pas një kohe të gjatë aktorët preshevar do të ngjiten në skenë për të shfaqur komedinë të cilën janë duke e përgatitur së bashku me aktorët kumanovar, dhe regjisorin Musa Isufi nga Kumanova.
Me iniciativë të përbashkët, aktorët nga Presheva dhe Kumanova janë duke përgatitur komedinë e tyre të radhës për ta shfaqur para publikut Preshevar.
Sipas regjisorit Musa Isufi, teksti i autorit italian Vincenzo Saleme, ngjason me jetën dhe rrethanat e shqiptarëve. Në shfaqje flitet për raportet e tre vëllezërve pas vdekjes të së ëmës, e mbi të gjitha është testamenti i nënës së tyre, që është lënë tek avokati. Isufi ka thënë se Preshevës i mungon Tetari, ndaj apelon tek subjektet politike që të fokusohen edhe tek problemi i teatrit, sepse Presheva ka aktorë të mrekullueshëm, dhe se shfaqet janë më se të nevojshme edhe pas Festivalit të Komedisë.
Ndërkaq sipas aktorit Preshevar Gani Veseli, aktorët në bashkëpunim me regjisorin janë duke përgatitur këtë komedi e cila do të shfaqet në shtëpinë e Kulturës “Abdulla Krashnica” në Preshevë.
Përmes rolit të tij publiku do të kuptoj mjaft mirë se si është të jesh fëmijë pa prindër. Edhe për aktorin preshevar ishte e mirëpritur ftesa për të marrë pjesë në këtë shfaqe. Përmes rolit të tij aktori kumanovar Ismail Kasumi shfaq dukshëm raportet e tij me vëllezërit, i cili le anash ata duke u dhënë pas famës. Komedia po përgatitet nga aktorët preshevar, Gani Veseli, Artan Ibishi, Gjelbrim Emini, dhe aktori nga Kumanova Ismail Kasumi./Lugina Press/







