Home Aktuale Mbi 100 media ballkanase dhe evropiane, nesër në Prishtinë

Mbi 100 media ballkanase dhe evropiane, nesër në Prishtinë

1000
0
SHARE

Kosova nesër do të jetë në qendër të vëmendjes së mediave ballkanase dhe evropiane.

Konferencën ministrore “Western Balkans’6” të 12 ministrave të Ballkanit Perëndimor, gjashtë ministrave të jashtëm dhe gjashtë të infrastrukturës, e cila po organizohet në Prishtinë nga Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës, kanë shfaqur interesim ta përcjellin më shumë se 100 shtëpi mediale të shteteve të rajonit dhe BE-së.

Kësaj konference ministrore i ka paraprirë ajo e Berlinit, e organizuar nga kancelarja gjermane, Angela Merkel, me synimin e vetëm nxitjen e bashkëpunimit ekonomik në mes të vendeve të rajonit.

Ndërkaq, nesër konferenca do të udhëhiqet nga zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Jashtëm, Hashim Thaçi, kurse pjesë e saj do të jenë edhe ministri i jashtëm dhe ai i infrastrukturës i Serbisë.

Gjithashtu, pjesëmarrës do të jetë edhe Komisioneri Evropian për Politikë Evropiane të Fqinjësisë dhe Negocimit për Zgjerim, Johannes Hahn.

Deri më tash, siç mëson KosovaPress, mediat kryesore të Bosnjës, Serbisë, Malit të Zi, Shqipërisë, Maqedonisë janë akredituar nga zyrtarët për media të Ministrisë së Punëve të Jashtme.

“Agjencia Franceze e Lajmeve, Agjencia Austriake e Lajmeve, Al Jazeera, AssociatedPress, Našenovinei SRNA, Sputnik Srbija, Tanjug, Televizija Bosne i Hercegovine, Televizija Crne Gore, Zëri i Amerikës, Agjencia Telegrafike Shqiptare, etj”, janë vetëm disa prej mediave që tashmë janë akredituar nga MPJ, mëson KosovaPress.

Konferenca ministrore “Western Balkans’6” në Prishtinë organizohet në formatin “Gymnih” me nivel të barabartë, siç organizohet të gjitha takimet e tjera të formatit të BE-së.