Ai ka emër, të cilin ia ka lënë babai. Ka edhe mbiemër, të cilin e mori nga të parët e tij. Ka vendlindje e vendqëndrim, por nuk ka asnjë dokument identifikimi, sepse nuk është as i Kosovës e as i Serbisë. Si ky i ri, i zhvendosur nga Malësia e Bujanocit janë edhe qindra të tjerë, të cilët prindërit i kanë nga Lugina e Preshevës, por që tash e 15 vjet jetojnë në Gjilan, pa statusin e refugjatit.
Jemi a s’jemi vend i sigurt. Për Francën, që është bërë destinacion i dashur për azilkërkuesit kosovarë, Kosova hyn në radhën e vendeve të pasigurta, e për shqiptarët e Luginës së Preshevës është vendi ku ata po gjejnë strehë. Por, asgjë më tepër. Ngase shumica prej tyre vazhdojnë të jetojnë me dokumente të Serbisë, e disa edhe pa asnjë lloj dokumenti. Kjo për shkak se as Serbia, as Kosova nuk i konsideron si shtetas të vet.
Siç thotë Kushtrim Kadriu, zëdhënës në Lëvizjen “Vatra”, subjekt ky që i tubon të zhvendosurit nga Kosova Lindore, nga kjo anë pati dëbim masiv të popullatës gjatë viteve 1999-2000, kurse në mënyrë të heshtur popullata e kësaj ane u largua edhe më herët. Ata lanë shtëpitë dhe pasurinë, skaj të cilave vazhdojnë të sillen xhandarmëria serbe, dhe shumica prej tyre u vendosën në Gjilan, por ka edhe ta atillë që ia mësynë Fushë-Kosovës dhe Prishtinës.






