Home Aktuale 21 vite pa Muvehid Hebibin, “rilindasin e ri” që po na mungon.

21 vite pa Muvehid Hebibin, “rilindasin e ri” që po na mungon.

1171
0
SHARE

REQUIEM:
21 vite pa Muvehid Hebibin, “rilindasin e ri” që po na mungon.

Shkruan: Nexhmedin Ademi

Harresa nganjëherë e bënë jetën më të lumtur. Gjëra që na ndodhin në jetë. Sa më shpejt që i harrojmë aq më mirë për neve. Të parëndësishmet le të hidhen në koshin e plehrave të historisë. Kështu shpresa për të rilindur një botë me ëndrra më të mira i jep kuptim jetës. Ka raste kur ngjarjet dëshiron t’i kujtosh si epizode, momente, që të ngushëllojnë për të kaluarën. Vitet kalojnë. Heshturazi pret që ndarja me njerëzit që të kanë rrethuar të kaloj në histori. Përkundër kësaj, ka një moment tjetër të trishtë. Kur ndarja me të dashurit e tu nuk të ngushëllon.
Jeta ka kuptim vetëm kur i shërben një ideali. Muvehidi ishte një idealist që me idenë e tij u përballë jo vetëm me njerëzit, por edhe me kohën. Guximi i tij kapërcente çdo limit. Momentumin e shndrronte në kreativitet për ta ndryshuar botën. Për te, heroizëm i vërtetë ishte vullneti për ta zhvendosur dinamikën e jetës nga një kontest në kontestin tjetër. Fuqishëm i përkushtohej këtij qëllimi. Nuk e frikësonte historia, as miti, as kulti i të pamposhturit. Një disident i ri i regjimit komunist. I lindur dhe formuar intelektualisht për ta kundërshtuar këtë regjim. Komunizmin e quante fatëkeqësi për njerëzimin. Ai fliste për frikën e ujqërve të regjimit të kaluar që do të shndrroheshin në delet e regjimit liberal demokratik. Nuk fliste për pengesa gjatë rrugëtimit të tij në botën e idealeve. Shprehja nuk mundem, ishte diçka që nuk ekzistonte në mendësinë e tij. Veçori që e bënte një lider të vërtetë. Ne thonim: “nuk mundemi”, ai thoshte: “nuk duani”. Dallim substancial i oportunistit dhe atij që nuk mendon për t’u dorëzuar. Ai e admironte sfidën. E paparitura nuk e frikësonte. Tingulli melodik i thellësisë kuptimore që lëshon simfonia e qetësonte shpirtërisht vetëm kur sfida dhe e papritura dorëzohej para tij. Sfida e mundur ishte nga të paktat gjëra që e kanë lumturuar në këtë botë. Kjo nuk e bënte iluzionist apo futurist të pashpresë. Përkundrazi, energjik, kërkues, të pamposhtur. Kokëfortë me dozë aerogance për të mos bërë kompromis me bindjet. Nuk e imagjinonte dot idealizmin pa altruizëm. Njeriun konformist, oportunist, servil e shikonte si gangrenë në mjedisin shoqërorë. Përfundim i pafalshëm për te ishte demagogjia.
Gjendja statike ishte armiku i njeriut që e piketonte gjithnjë. Lëvizja ishte ajo që i shërbente proceseve. Bezdisej fort kur i përsëritej dita e njëjtë. Nuk ishte ithtarë i ndryshimeve evolutive. Në shërbim të ndryshimit social, kulturorë e politik e admironte mendësinë revolucionare. Revolucioni për te nuk ishte anarki. Ndryshimi revolucionarë në shërbim të idealit njeriun duhet ta pëshkoj që nga mënyra e të menduarit deri te rezistenca ndaj përditshmërisë. Ai i rezistoi kohës. I rezistoi edhe njerëzve që serviloseshin due u ambientuar me kohën, rendin natyral të njeriut konformist i cili paternalizmin e shikonte mundësi të mbijetesës politike e kulturore. Nuk mërzitej për reagimet e njerëzve. Vuante për mjerimin dhe varfërinë e tyre mendore për mos ta kapur momentin. Nuk i bënin përshtypje lajkat, lavdatat e njerëzve. Të gjitha këto i shikonte si pispillosje e lazdrime të karaktereve, me kolorit infantilizmi që e gjenë në konstruksionin antropologjik të njeriut. Lëvizjen e tij e shikonte një ideal që ia kushtonte, Zotit, popullit, shoqërisë. Vlerësimin dhe kënaqësinë e kërkonte vetëm nga Ai. E çna duhej tjetër veç jetës kushtuar këtij ideali? Çdo gjë tjetër për te ishte e pakuptimt, e pa vlerë, që e përmbytë idealin e njeriut duke kaluar në pragmatizëm e deri edhe në demagogji.
Pasionant i flakt i librit. Pak para vdekjes tha: “Duajeni Librin se libri është burim i diturisë”
Ideologu kombëtarë Sami Frashëri kishte ndikim të thellë në idetë politike të tij. Mendonte se Sami Frashëri ishte ideologu i duhur që do të ndihmonte shumë në ngjizjen e identitetit politik të shqiptarëve në periudhën e pas regjimit komunist. Një “rilindas i ri” në kërkim të një fryme të re e cila idealin politik të Samiut dëshironte ta sjell në kujtesën e shqiptarit si mendim programatik. Admirues i flakët i organizimit të Referendumit të 1 dhe 2 Marsit të viti 1992 për Autonomi Territoriale me të drejt bashkangjitje me Kosovën në Luginën e Preshevës.
Nuk duhet të jetosh gjatë për të lënë gjurmë në kohë. Ishte nga ata që jetoj shkurtë. Ideali i tij i rezervoi një hapësirë në kohë, e cila shpesh herë njerëzve nuk i rezervon vend pas vdekjes.
Jeto për të mos vdekur miku, vëllau im, nën mëshirën e Zotit Fuqiplotë.
Jemi në pritje të takimit me Atë që i jep kuptim çdo gjëje.