Home Aktuale 160 mijë votues pritet të votojnë ndryshe më 8 qershor

160 mijë votues pritet të votojnë ndryshe më 8 qershor

409
0
SHARE

Mbi 160 mijë votues kosovarë projektohet së do të ndryshojnë votën e tyre në zgjedhjet parlamentare, të cilat do të mbahen me 8 qershor. Këto rezultate janë dalë nga një sondazh i organizuar nga Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) dhe Kolegji Universum, përkrahur Friedrich Ebert Stiftung (FES).

Çdo i pesti i anketuar në këtë anketë, sipas këtij sondazhi është deklaruar se do të votojë ndryshe nga zgjedhjet e kaluara.

Arsyet pse qytetarët do ta ndërrojnë partinë për të cilën kanë votuar janë mosmbajtja e premtimeve dhe përfshirja në afera korruptive. 17 për qind të të anketuarve, po ashtu sipas këtij sondazhi akoma janë të pavendosur rreth asaj se a do ta ndërrojnë votën e tyre apo jo.

Sipas këtij instituti, këto të dhëna janë një tregues i qartë se skena politike në Kosovë do ballafaqohet me një ndryshim të konsiderueshëm të fuqisë së subjekteve politike, një trend i cili është vënë re gjatë zgjedhjeve komunale të vitit 2013.

Sipas rezultateve të këtij sondazhi 78.1 për qind e të anketuarve kanë raportuar se kanë ndërmend të dalin në zgjedhjet parlamentare të cilat do të mbahen me 8 qershor 2014, ndërkohë që 11.1 për qind tregojnë që akoma nuk kanë vendosur.

10 për qind e të anketuarve kanë thënë se nuk do të dalin në votime. Nga këta të fundit, shumica absolute kanë dhënë zhgënjimin me ofertat e partive dhe mosbesimin në ndryshim si arsye të mospjesëmarrjes në procesin zgjedhor. Përqindja e lartë e të të anketuarve që kanë thënë se kanë ndërmend të votojnë, vë në pah problemet e shumta me listat e votuesve në Kosovë, për të cilat është raportuar vazhdimisht.

Një nga të gjeturat më shqetësuese të anketës është se shumica e të anketuarve nuk u besojnë premtimeve të partive politike për krijimin e qindra mijërave vende të reja të punës; 90 për qind të personave që nuk u besojnë premtimeve thonë se nuk ka zhvillim të mjaftueshëm ekonomik për të hapur këto vende të punës. Të njëjtit besojnë që partitë politike do të punësojnë vetëm militantët apo familjarët e tyre.

Anketa, e organizuar në tërë Kosovën, është mbajtur nga stafi i trajnuar i Kolegjit Universum, ndërsa të dhënat janë analizuar nga INDEP. FES ka mbështetur financiarisht realizimin e kësaj ankete, e cila ka për qëllim analizën e motivimit të votuesve në Kosovë për politika publike, pa paragjykuar ndaj preferencave të tyre partiake.