Home Aktuale Ziadin Sela priti Shaip Kamberin kryetar i posazgjedhur i Bujanocit

Ziadin Sela priti Shaip Kamberin kryetar i posazgjedhur i Bujanocit

934
0
SHARE

Për vizitë pune në komunën e Strugës qëndroi delegacioni nga komuna e Bujanocit, komunë me shumicë shqiptare në Kosovën Lindore, kryesuar nga kryetari i posazgjedhur i kësaj komune, Shaip Kamberi.

Delegacioni nga Bujanoci u prit në ambijentet e komunës së Strugës nga kryetari Ziadin Sela me bashkëpunëtorë, me ç’rast pas informimit të ndërsjelltë për komunat që përfaqsojnë, është biseduar edhe për këmbimin e përvojave të specifikave të veçanta që kanë këto komuna, Struga në Maqedoni dhe Bujanoci në Serbi.

Poashtu, është biseduar edhe për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet këtyre dy komunave, duke ngritur këtë bashkëpunim në nivel të binjakëzimit të dy komunave.

Pas takimit, dy kryetarët bashkërisht u prononcuan për media me ç’rast nikoqiri Ziadin Sela mes tjerash tha: “pata nderin që sot të kem një takim me kryetarin e komunës së Bujanocit dhe biseduam për një bashkëpunim dhe binjakëzim ndërmjet komunës së Strugës dhe Bujanocit, bashkëpunim që para së gjithash është bashkëpunim i natyrshëm ndërmjet dy komunave me shumicë shqiptare. Përveç specifikave që i kemi të ngjashme si komuna-qasja që ka pushteti qëndror ndaj këtyre komunave. Ky bashkëpunim ka edhe kuptim politik për bashkëpunimin e komunave me shumicë shqiptare në gjithë trojet shqiptare, duke u nisur nga Bujanoci, Presheva e pse jo edhe në Mal të Zi e gjetiu”.

Ndërkaq, kryetari i komunës Bujanocit, Shaip Kamberi shtoi: “Ishte kënaqësi e veçantë që me bashkëpunëtorët e mij të vizitoj Strugën dhe kryetarin e saj dhe të shikojmë format e bashkëpunimit të ndërsjelltë ndërmjet dy komunave tona. Besoj se ka shumë mundësi dhe pika të përbashkëta të bashkëpunimit dhe do të mundohemi që bashkërisht ti shfrytëzojmë ato dhe që në kuadër të kuvendeve tona të vendosim një bashkëpunim sistematik dhe institucional me Strugën, komunë e cila në raport me Bujanocin është më e avansuar ndaj dhe ne ti shfrytëzojmë përvojat që ka kjo komunë. Pra është me rëndësi që komuna jonë ka një bashkëpunim në tërësi me komunat tjera shqiptare dhe ne do të mundohemi që këtë ta shfrytëzojmë që të ndikojë në avansimin e jetës së qytetarëve tanë”.

Dy kryetarët u morën vesh që në një të ardhme të afërt, delegacioni i Strugës të vizitojë komunën e Bujanocit. (Mehmet Latifi/INA)