Home Aktuale Vetëvendosje: Në Francë u vu në shënjestër liria e shprehjes

Vetëvendosje: Në Francë u vu në shënjestër liria e shprehjes

925
0
SHARE

Pas atentatit kriminal dhe sulmit ndaj revistës franceze “Charlie Hebdo”, Vetëvendosje i shprehu ngushëllime familjarëve të viktimave, kolegëve të tyre në revistën e sulmuar, si dhe shtypit francez në tërësi.

Lëvizja Vetëvendosje i përcjell ambasadës së Republikës së Francës në Kosovë, solidaritetin dhe mbështetje në këto momente të vështira për vlerat republikane të Francës.

“Në sulmin kriminal të së mërkurës, më 7 janar 2015, u vu në shënjestër liria e shprehjes dhe ajo e kritikës, vlera universale të cilat duhen kultivuar me përkushtim. Është për t’u marrë si shembull, qëndrimi korrekt dhe i përkujdesur i qeverisë dhe i opozitës franceze, i opinionit të gjerë fetar dhe laik, të cilët bënë thirrje për të mos e përgjithësuar fajin në këtë rast dhe në asnjë rast tjetër, duke i dalë përballë secilit reagim që do të mund të çonte në rritje të islamofobisë, apo në diskriminim të qytetarëve në baza të besimit fetar apo prejardhjes etnike”, thuhet në telegramin e ngushëllimit.

Më tej thuhet se “Jemi të bindur se Franca do ta fitojë betejën kundër sulmeve të tilla, dhe do të vazhdojë të jetë një vend i udhëhequr prej parimeve ndriçuese dhe universale të iluminizmit, synimit për barazi dhe luftës ndaj diskriminimeve. Këto parime nuk do të mund të mposhten nga cinizmi e nihilizmi i palëve që bëjnë thirrje për supremaci të vetes, apo nënshtrim të tjetrit. Duke u solidarizuar në dhimbje, edhe një herë, pranoni ngushëllimet tona!”. /Telegrafi/