Home Aktuale Veseli: Thaçi zgjedhet president në shkurt

Veseli: Thaçi zgjedhet president në shkurt

236
0
SHARE

Me një atmosferë e cila i përngjante fushatës zgjedhore, kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi dhe zëvendëskryetari Kadri Veseli, kanë mbajtur një takim me strukturat e kësaj partie në Vushtrri në Shtëpinë e Kulturës.

Në këtë tubim më së shumti spikaten lëvdatat e Thaçit dhe Veselit për kryetarin e Vushtrrisë, Bajram Mulaku.

“Kurrë Vushtrria nuk ka pasur investime më shumë se sa në kohën e qeverisjes së qytetit nga kryetari Bajram Mulaku. Nuk mjafton vetëm sakrifica për liri, por ne kemi dëshmuar se dimë ta ndërtojmë edhe vendin. Ne nuk jemi perfekt, por jemi më të mirët e skenës politike kosovare”, tha kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi.

Ndërkaq, zëvendëskryetari i PDK-së, Kadri Veseli, shprehu bindjen se presidenti i Republikës së Kosovës do të zgjedhet në muajin shkurt, duke garantuar se në atë pozitë do të jetë Hashim Thaçi.

“Nuk kemi ardhur të bëjmë fushatë presidenciale, sepse nuk kemi nevojë. Kryetari Mulaku do të ketë përkrahjen tonë që Vushtrria të zhvillohet maksimalisht, sepse dikur Vushtrrinë e kanë quajtur Parisi i Vogël. Unë kam një mesazh edhe për opozitën, të cilët duhet të jenë pak më të dinjitetshëm, sepse dhuna nuk është zgjidhje që Kosovën do ta qojë përpara, pasi që kjo është duke e dëmtuar edhe partneritetin evropian. Me këtë rasti dua të ju them se muaji shkurt do të jetë muaji kur Thaçi do të zgjidhet president i Kosovës”, tha Veseli, i cili i ftoi anëtarësinë e PDK-së për qetësi, sepse siç tha, shumë shpejt do të vie momenti kur opozita do ta sheh se duhet të ulemi së bashku për të biseduar.

Në anën tjetër, kryetari i komunës së Vushtrrisë, Bajram Mulaku, tha se në këtë qytet është investuar shumë në infrastrukturë, arsim e shëndetësi, duke treguar se tash po investohet kryesisht në zhvillim ekonomik.