Home Aktuale U përkujtua njëra prej masakrave më të mëdha në Drenicë

U përkujtua njëra prej masakrave më të mëdha në Drenicë

955
0
SHARE

Janë përkujtuar të shtunën 94 të rënët e fshatit Rezallë të Skenderajt, e njohur si njëra prej masakrave më të mëdha në Drenicë gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, në shënim të 15-vjetorit të kësaj masakre, tha se ata u vranë pa asnjë faj, vetëm pse e donin lirinë.

“Serbia kishte lëvizur gjithë aparatin e vet për të bërë krime mbi shqiptarët. Serbia kreu krimet për dy arsye, për shkak të qëndresës dhe rezistencës të popullit të Kosovës, si dhe për shkak të goditjeve të NATO-s mbi caqet ushtarake e policore serbe. Pavarësia e Kosovës është ngritur mbi jetët e tyre”, ka thënë Thaçi.

Ai potencoi se Kosova është duke e institucionalizuar gjakun e derdhur për liri.

Sipas tij, tani janë dy objektiva, zhvillimi ekonomik dhe integrimi i vendit në Bashkimin Evropian dhe në strukturat euro-atlantike.

Ndërkaq, Fadil Nura, nënkryetar i Skenderajt, tha se masakra e Rezallës ishte dhe mbetet shembull tipik i gjenocidit që ushtruan forcat paramilitare serbe gjatë luftës në Kosovë.

“Si kur të mos mjaftonin vrasjet me gjakftohtësi, forcat serbe bënë aktin më çnjerëzor, zhvarrosjen dhe zhdukjen e trupave të të vrarëve, të cilët ende nuk janë gjetur. Aq më keq, kriminelët që kryen këtë akt makabër ende nuk janë ndëshkuar”, theksoi Nura.

Në tubim foli edhe Xhavit Jashari, kryetar i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të Kosovës, ndërsa pas përfundimit, kryeministri Hashim Thaçi, i mbijetuari i masakrës së Rezallës, Misim Deliu dhe Ilaz Dërguti, njëri prej komandantëve të luftës së UÇK-së, kanë prerë shiritin e përurimit të kompleksit të varrezave të Rezallës.

Ndryshe, 94 varre të ndërtuara, në të cilat janë vendosur mbishkrimet me emra dhe mbiemra të viktimave, tani janë bosh. Familjarët e 54 të rënëve në pjesë të ndryshme, të Rezallës, por edhe në pjesë tjera të vendit, mund t’i rivarrosin mbetjet mortore të më të dashurve të tyre, ndërsa për viktimat e masakrës së Rezallës, të cilëve forcat ushtarake policore e paramilitare serbe ua kanë humbur gjurmët, duhet pritur që ata të gjenden dhe të varrosen në varret e secilit prej tyre në kompleksin e varrezave të Rezallës.