Plenumi Studentor ka okupuar hapësirat e universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup, duke i shpallur Zonën Autonome, transmeton KP.
Kërkesat e tyre mbeten të njëjtat, ligj i ri i bazuar në analiza të thella, duke përfshirë në përgatitjen e tij edhe studentët. Kërkesa kryesore ka të bëjë me anulimin e provimit shtetëror.
Kështu potencoi edhe përfaqësues i Plenumit Studentor, i cili tha se nuk do të lëshojnë pe në kërkesat e tyre.
“Plenumi Studentorë kërkon të nënshkruhet marrëveshje mes një konference ndër universitare dhe Ministrisë se Arsimit, në të cilën do të përfshihen aspektet si vijojnë: Pjesëmarrje e garantuar e Plenumit Studentorë në hartimin e plotë të ligjit të ri, me qëllim që i njëjti t’i reflektojë qëndrimet dhe perspektivat e studentëve. Kornizë kohore gjatë së cilës do të hartohet ligji, përkatësisht përcaktim të qartë dhe kohë për draftin e parë dhe të dytë”, tha ai.
Studentët që sot okupuan universitetin, presin mbështetje edhe nga kolegët e tyre nëpër universitetet tjera, duke mos përjashtuar mundësinë e okupimit të hapësirave edhe të universiteteve tjera.
Ndërkaq, profesorët shprehen të gatshëm për mbështetje. Ata thonë se nëse është nevoja edhe do t’i furnizojnë me ushqim studentët, me qëllim mbrojtjen e autonomisë së universitetit.
Sinoliçka Tërpkova, Profesoreshë në këtë Universitet ka thënë se ndjehet krenare që është profesoreshë e këtyre studentëve, duke mos nguruar që të jap përkrahjen e saj edhe nëse është nevoja të bëjë gjumin në këtë universitet.
“Mendoj se që sot fillon e ardhmja e re për Maqedoninë. Unë ndjehem krenare që jam profesoreshë e këtyre studentëve, të cilët siç i keni parë dhe po i shihni, na kanë udhëhequr dhe po na udhëheqin të gjithë neve. Nëse duhet të flemë këtu me studentët, do të flemë. Nëse duhet t’i sjellim ushqim, do t’i sjellim, do t’i ndihmojmë, sepse edhe ne jemi pjesë e tyre dhe universiteti është i gjithë neve. Kjo është shtëpia jonë”, tha Tërpkova.
Masa e re e studentëve vjen përkundër lëshimit pe nga ana e qeverisë për shtyrjen për 1 vit të zbatimit të provimit shtetëror në arsimin e lartë.






