Home LAJME SHBA-të japin 1 mld dollarë në mbrojtje të Europës

SHBA-të japin 1 mld dollarë në mbrojtje të Europës

1070
0
SHARE

Presidenti amerikan Barack Obama i ka bërë thirrje Rusisë të ndihmojë për të ndalur separatistët prorusë në lindje të Ukrainës dhe të përdorë ndikimin e saj për të bindur militantët që të mbështesin paqen.

Obama foli dje në Varshavë, në ndalesën e tij e parë në tre vende të Europës që pritet të dominohet nga kriza në Ukrainë. Presidenti Obama tha se homologu i tij polak Bronislaw Komorovski është dakord me mendimin se provokimet e mëtejshme nga Rusia do t’i kushtojnë Kremlinit, përfshi mundësinë e sanksioneve të tjera.

“Parimet bazë për integritetin territorial, sovranitetin dhe lirinë, mundësinë e njerëzve për të vendosur vetë të ardhmen e vendit të tyre, janë gur themeli për paqen dhe sigurinë që kemi parë në Europë për disa dekada dhe që tani kërcënohet nga veprimet e Rusisë në Krime dhe nga akvititetet ruse në lindje të Ukrainës.” Obama tha se nuk beson se Ukraina duhet të zgjedhë mes marrëdhënieve të mira me Europën apo me Rusinë. Presidenti amerikan propozoi gjithashtu një nismë prej 1 miliardë dollarësh për stërvitjen ushtarake dhe rotacionin e trupave në Europë, duke përfshirë më shumë dislokime në Detin e Zi dhe atë Balltik. Ai tha se nisma tregon “përkushtimin e palëkundur” të Amerikës ndaj aleatëve të NATO-s.

Në një deklaratë të Shtëpisë së Bardhë thuhet se, Shtetet e Bashkuara po rishikojnë praninë ushtarake në Europë për shkak të “sfidave të reja të sigurisë në kontinent.” Pasi mbërriti në Varshavë, Obama diskutoi mbështetjen për rritjen e pranisë së NATO-s në Europë në përgjigje të aneksimit të Krimesë nga Rusia në mars. “Po e filloj vizitën këtu, pasi angazhimi ynë për sigurinë e Polonisë, si dhe për sigurinë e aleatëve tanë në Europën Qendrore dhe Lindore është gur themeli i vetë sigurisë sonë, dhe kjo është e shenjtë.” Presidenti amerikan Obama dhe homologu i tij Komorovski janë organizatorët e një takimi më të gjerë me udhëheqës e tjerë nga vendet e Europës Qendrore. Turneu i liderit amerikan vjen ndërsa qeveria e Ukrainës po lufton kundër separatistëve prorusë. Ai do të takohet me presidentin e zgjedhur të Ukrainës Petro Poroshenko para se të largohet nga Polonia të mërkurën. Presidenti Obama do të takohet gjithashtu me aleatët e Shteteve të Bashkuara të mërkurën dhe të enjten në Bruksel në një takim të organizuar në minutën e fundit, pasi udhëheqësit vendosën të bojtokojnë takimin e grupit të tetëshes që Rusia do të organizonte këtë javë në Soçi. Bojkotimi ishte në përgjigje të inkursionit rus në Krime në mars. Në Francë, Obama do të flasë të premten në Omaha të Normandisë në një ceremoni që do të shënojë 70 vjetorin e ditës së fitores kundër forcave naziste në Luftën e Dytë Botërore. Mësohet që presidenti rus Vladimir Putin do të jetë gjithashtu i pranishëm. Nuk është planifikuar asnjë takim mes tyre, por kryeministri britanik David Cameron ka në plan të takohet me presidentin Putin në Normandi. Ndërkohë, presidenti amerikan Obama mund të zhvillojë një bisedë personale me kancelaren gjermane Angela Merkel. Flitet edhe për një takim të shefit të Kremlinit me presidentin ukrainas Poroshenko.

Polonia, stacioni i parë i bisedimeve

Përkujtimi i kthesës së madhe historike dhe shqetësimi aktual në lidhje me sigurinë në rajon gjenden shumë pranë njëra-tjetrës në vizitën e Barak Obamës në Poloni. Polakët festojnë me një “Festival të Lirisë” zgjedhjet e tyre të para disi më të lira të 4 qershorit 1989 pas rënies së komunizmit. Ndër të ftuarit nuk ndodhen vetëm presidenti i SHBA- ve dhe presidenti gjerman Joachim Gauck, por edhe presidenti i sapozgjedhur i Ukrainës, Petro Poroshenko. Ashtu si para 25 vjetësh fjala është për debatin lidhur me sferën ruse të influencës dhe pretendimet për pushtet të Kremlinit. Në qendër të bisedimeve të Obamës me presidentin polak Bronislav Komorovski dhe kryeministrin Donald Tusk këtë të martë është edhe përshkallëzimi i situatës në Ukrainë, ndarja e thellë e fqinjëve të polakëve në forca properëndimore dhe proruse. Polonia pret që fuqia e udhëheqëse të NATOs SHBA-të do të rinovojë premtimet e sigurisë për partnerët e saj në Europën Lindore. Një takim i Obamës me Poroshenkon në Varshavë është planifikuar për të mërkurën. Të mërkurën dhe të enjten Obama merr pjesë në samitin e shteteve më të industrializuara (G7) në Bruksel. Tema kryesore edhe këtu është bashkëpunimi i mëtejshëm me Rusinë duke pasur parasysh krizën në Ukrainë. Përveç kësaj në agjendë janë çështjet energjetike dhe ekonomike. Samiti G8 i planifikuar të mbahej fillimisht në Soçi nën presidencën ruse është anuluar.