Fondacioni për Arsim dhe Kulturë “ATMOSFERA”- Gjimnazi Hasan Nahi, e mbeshtetur nga Ministria e Arsimit, Drejtoritë Komunale Arsimore dhe shkollat fillore, ka organizuar me sukses dhe jehonë të madhe Garën e Inteligjencës Eureka 3.
Në këto gara kanë marrë pjesë edhe shkolla fillore”Muharrem Kadriu”nga Tërnoci me dy nxënës Elion Arifi dhe Bleon Fetahi.
Ndërkaq shkolla fillore”Muharem Kadriu” përveç suksesit që treguan në këto gara u nderuan me mirënjohje nga organizatori, si shkollë e vetme nga Bujanoci që mori pjesë në këto gara.
Nxënësit Elion Arifi dhe Bleon Fetahi ishin në përcjellje të drejtorit të shollës Bajram Salihi dhe pedagogut Selami Jakupi të cilët u ndanë të kënaqur me susksesin e nxënësve që treguan në gara. Ata po ashtu falënderuan organizatorin gjimnazin “Hasan Nahi” që ka bërë të mundur që edhe nxënësit e shkollave të luginës të mos veçohen nga ata të Kosovës.
Gara Eureka, u organizua në 25 komuna në të njëjtën ditë dhe orë ku morën pjesë mbi 2000 nxënës të dalluar të klasave të IX nga 28 Komuna e po ashtu edhe nga Lugina . Pas etapës së parë u zgjodhën 250 finalistë të cilët garuan më 19.03.2016 në Gjimnazin “Hasan Nahi” për etapën finale.
E cilësuar me të drejtë nga media Kosovare si “Gara që sfidoi dijen e mbi 2000 nxënësve”, gara Eureka, mendojmë se i ka sjellë një sinergji dhe kurajo nxënësve për ta përqafuar më shumë arsimin e dijen. Në filozofinë e punës sonë arsimi është ardhmëria e një vendi dhe çdo punë e përpjekje në këtë rrugë është e shenjtë.
Dita e martë më 22.03.2016 ka qenë një festë e vërtetë e Arsimit dhe vlerave. Mbi 1500 miq pjesëmarrës nga gjithë Kosova u bënë pjesë e gëzimit të madh të finalistëve të Eureka 3. Pjesë e këtij gëzimi ishin përfaqësues të lartë të ministrisë së Arsimit, deputetë, përfaqësues të trupit diplomatik, kryetarë komunash, Drejtorë të Drejtorive Komunale Arsimore, rreth 120 drejtorë shkollash të nxënësve finalistë, profesorë, intelektualë, prindër, të ftuar etj.
Drejtor i Fondacionit Atmosfera Talip Aktash: tha se të gjithë së bashku t’i dalim për zot çdo zhvillimi të fëmijëve tanë
“Uroj që kjo garë modeste në këtë vend, të jetë shkas për gara të mëdha ndërkombëtare në të ardhmen.
Këta të rinj të çmuar, me kompjuter në duar, me dije dhe me dëshirë të hulumtimeve në mendje, me pishtarin e dashurisë në zemra, duhet të përjetojnë emocionin e takimit të Kosovës së bashku me botën.
Po kalojmë një kohë të vështirë ku të rinjtë me shprehitë negative janë larguar nga punët e mbara.
Domethënë, po jetojnë të vetëm në botën virtuale, nuk po bëhen asgjë kur çdo gjë kanë në dispozicion, nuk tregojnë dot respektin e nevojshëm ndaj prindërve dhe po i nënvlerësojnë vlerat morale të shoqërisë.
Në qoftë se nuk i kapim për duar këta të rinj, t’i orientojmë drejt idealeve të larta e t’u mësojmë vlerat morale, e ardhmja do të jetë edhe më keq se tani.
Të gjithë së bashku t’i dalim për zot çdo zhvillimi të fëmijëve tanë. Të mos harrojmë t’ia ngopim edhe mendjen pasi t’ia ngopim barkun. Duke i dhënë rëndësi veshjes së tyre, të mos lëmë anash kujdesin ndaj sjelljeve të tyre. Përderisa mendojmë anën fizike të tyre të mos neglizhojmë edhe anën metafizike. Ashtu që të mos thahen fidanët e rinj. Ta shohim të ardhmen me besueshmëri”, tha Aktash.
Drejtori i Gjimnazit Hasan Nahi Gazmend Aga tha se ky sukses përket i mësuesve, drejtorëve të shkollave fillore e drejtorive arsimore të qyteteve përkatëse.
Në fjalën e mbajtur, Z. Gazmend Aga, pasi falenderoi të gjitha institucionet arsimore në Kosovë për mbështetjen e pakursyer, u shpreh se Gjimnazi Hasan Nahi ka organizuar dy olimpiada; E para Olimpiada e Vlerave Kombëtare-Atdhedashuria, e dyta është Gara shkencore e Inteligjencës, Eureka.
Ai vlerësoi punën serioze të arsimtarëve në shkollat fillore. Heronjtë e vërtetë të një vendi janë mësuesit dhe prindërit që edukojnë një brez të mirë, u shpreh Aga.
Ai falenderoi në mënyrë të veçantë edhe median kosovare për mbështetjen bujare e të pakursyeshme.
Drejtoresha e DKA Prishtinë, Zj. Arbërie Nagavci para të pranishmëve u shpreh
“Urime Gjimnazit Hasan Nahi për organizimin. Gara të tilla nxisin garimin për mirë mes nxënësve. Nxënës të dashur; vazhdojeni punën tuaj serioze. Mbështetja jonë nuk do të mungojë, u shpreh ajo.
Në emër të Ministrit Arsim Bajrami këshilltari i tij Z. Lah Nitaj tha se mbështetja jonë do të vazhdojë.
Në emër të ministrit të arsimit fjalë përshëndetëse mbajti dhe Z. Lah Nitaj, këshilltar I Ministrit. Në fjalën e tij Z. Nitaj, shprehu konsideratat më të larta për punën e Gjimnazit Hasan Nahi dhe organizimin e Eurekes. Ai përcolli urimet më të përzemërta të Ministrit Z. Bajrami dhe premtoi mbështetje të mëtejshme për organizimin e garave të tilla. Do të vazhdojmë serjozisht punën për ardhmërinë e vendit, u shpreh Nitaj./Lugina Press/











