Home OPIONIONE Qeveria i fali borxhet e kryeministrit!

Qeveria i fali borxhet e kryeministrit!

632
0
SHARE
Nga Lavdim Hamidi – Këto ditë arrita ta kuptoj se shtresa më e varfër në Kosovë qenkan zyrtarët qeveritarë dhe biznesmenët që qarkullojnë miliona euro brenda vitit, përderisa ata që jetojnë me ndihma sociale, që nuk kanë as bukë për të ngrënë, po del të jenë të pasur!
Në bazë të kësaj logjike, me gjasë është marrë, muaj më parë, edhe vendimi i Qeverisë për faljen e borxheve të bizneseve dhe institucioneve ndaj Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) gjatë periudhës 2000-2008, ku në listën e borxheve të falura figurojnë kryesisht institucionet shtetërore dhe bizneset e fuqishme, shumë prej tyre të lidhura me politikën.

Po të ishte ndryshe dhe po t’i jepej prioritet faljes së borxheve për rastet sociale, Zyrës së Kryeministrit të Kosovës nuk do t’i faleshin mbi 493 mijë euro borxhe ndaj ATK-së, institucion ky që i ndahen miliona euro çdo vit nga buxheti i shtetit.

Po ashtu, Zyra e të parit të Qeverisë, në kushte normale do të duhej të ishte shembull i rregullsisë dhe pagesës së tatimeve për të gjitha institucionet, e jo të bëhej shembull i rrënimit të shtetit, duke mos paguar tatime.

Borxhi i Zyrës së Kryeministrit të Kosovës gjatë periudhës 2000-2008, kur me këtë institucion kanë udhëhequr ish-kryeministrat: Bajram Rexhepi, Ramush Haradinaj, Bajram Kosumi, Agim Çeku e Hashim Thaçi, nuk do të duhej të falej nga ATK-ja pa dhënë përgjegjësi para institucioneve të drejtësisë, se si është krijuar ky borxh, derisa kanë buxhet të planifikuar vjetor për mbulimin e të gjitha shpenzimeve të nevojshme, madje edhe për mëditje të majme dhe për derivatet e veturave zyrtare jashtë orarit të punës.

Nëse Zyra e Kryeministrit nuk i paguan tatimet shtetërore, atëherë si mund të paguajnë bizneset, qofshin edhe kompani të mëdha siç është rasti me “Marigona Residence”, e cila i ka ndërtuar qindra shtëpi luksoze në periferi të Prishtinës, ku ka investuar dhjetëra miliona euro, përderisa nga buxheti i varfër i Kosovës i janë falur rreth 150 mijë euro tatime.
Ka biznese në listën e ATK-së që i janë falur edhe rreth 2.6 milionë euro tatime, siç është rasti me “Pajtimi Company”, apo avokatit Kolë Puka që i janë falur rreth 2 milionë euro tatime. Ndaj këtij të fundit, gjykatat kosovare kanë shqiptuar më herët tri dënime me burg për shpërdorim të detyrës zyrtare, autorizimit dhe nxjerrje të paligjshme të vendimeve gjyqësore sa ishte gjykatës në Klinë, për pastrim të parave dhe mashtrim. Nëse edhe rastet e tilla, si i Kolë Pukës, përfitojnë nga falja e borxheve shtetërore, atëherë kujt i mbetet barra e mbushjes së buxhetit të shtetit?

Të varfërve?

Duket se po!
Pikërisht këta të fundit po shkelen nga vendimi qeveritar për faljen e borxheve, pasi që, qytetarët me gjendje të vështirë sociale, duhet t’i paguajnë borxhet ndaj kompanive publike prej vitit 2009 e këndej për t’iu falur borxhet deri në fund të vitit 2008. Por, cili rast social, me 90 euro në muaj që merr nga shteti, mund t’i paguajë borxhet e grumbulluara ndaj ndërmarrjeve publike për të përfituar nga falja e borxheve të vjetra?

Asnjëri.

Sepse, këto mjete nuk i mjaftojnë as për bukën e gojës për familjet e tyre e lëre më për t’i paguar borxhet e grumbulluara me vite.

E demagogët qeveritarë vazhdimisht deklaronin se përfituesit më të mëdhenj nga vendimi për faljen e borxheve janë qytetarët me kushte të rënda ekonomike, ndonëse me ligj nuk parashihej kurrfarë lehtësie për rastet sociale.

Fat i madh që në këtë periudhë nuk ka jetuar Dostojevski, sepse personazhin e kryeveprës së tij “Idioti”, do ta luanin me lehtësi shumë zyrtarë në Qeverinë e Kosovës, aty ku vendimi për faljen e borxheve është marrë më shumë për interesa personale, ndërsa shtireshin se po i ndihmojnë të varfrit.