Home EKONOMI Punëtorët e kompanive të mëdha ikin në Hungari

Punëtorët e kompanive të mëdha ikin në Hungari

682
0
SHARE

Kosova nuk po zbrazet nga fukarenjtë. As nga dembelët. Pjesa më e madhe e të ikurve janë punëtorë, madje shumë nga ta kanë të ardhura mbi pagën mesatare në vend. Fatin e njëjtë me shumë kompani e ka ETC, të cilës i kanë ikur punëtorë prej qendrave të ndryshme të shitjes nëpër vend.

Kjo e ka brengosur edhe njërin nga biznesmenët më të mëdhenj në vend, Ramin Kelmendin. “Po, ka ikje. Më e keqja është që po na ikin profesionistët. Po na ikin ata me zanate, me përvoje pune. Na duhet kohë t’i krijojmë ata”, tha Kelmendi.

Me pasoja edhe më të mëdha po ballafaqohet ndërmarrja Europlast. Kësaj i kanë ikur deri tash 6 punëtorë. “Se kanë lënë për rroga. Ato i kanë marrë me rregull nga viti 2006. Ata kanë ikur për kushte ma të mira”, tha Ragip Berisha, pronar i ndërmarrjes që para disa javësh kishte 36 punëtor, por ky numër është tkurrur.

“Çka kemi heqë në luftë dhe nuk e kemi lëshuar vendin. Me e leshu tash në vitin 2015 s’po di. Ndoshta iu bie më mirë”, shtoi Berisha.

Janë qindra kompani anekënd Kosovës që po u ikin punëtorët. Pagat relativisht të ulëta, sidomos në sektorin privat, nuk po mundësojnë ndonjë jetë komode. Shumë punëtorë janë në minimumin ekzistencial dhe po ikin për një jetë më të mirë. “Çka me ba, me këtë pagë, nuk jetohet. S’po më del paga as deri në fund të muajit. Po pagesat tjera. Një jetë e ka njeriu dhe atë duhet ta jetojë më dinjitetshëm”, tha Bashkimi, pa pranuar t’i përmendet mbiemri, teksa po ikte gjatë fundjavës.

E keqja e bizneseve është se ikja e popullatës e ka zvogëluar tregun dhe nuk kanë nevojë t’i zëvendësojnë punëtorët me të tjerët. Mallrat kanë mbetur në depo pa u shitur. “Kjo është keq për ne. Ka ra fuqia blerëse dhe s’kemi shitje. Rënia është shumë më e madhe gjatë dy javëve të fundit”, thotë Berisha i Europlastit.

Ai nuk mendon ta zëvendësojë asnjë punëtor me ndonjë të ri. “Jo, jo çfarë. Me këtë rënie ne na duhet ta largojmë edhe punëtorë tjerë”, thotë ai i shqetësuar.

Kriza ndihet në pjesën dërrmuese të kompanive kosovare, të cilat janë buze falimentimit. /Gazeta Fjala/