Në mbledhjen e organit zgjedhor për zgjedhjen e Reisul-Ulemas, e cila u mbajt sot në Bibliotekën e Gazi Husrev-begut, ai mori mbështetjen e shumicës së këtij organi.
Në organin zgjedhor bënin pjesë anëtarët e Kuvendit të Bashkësisë Islame, anëtarët e Rijasetit, myftinjtë, kryetarët e Meshihateve, dekanët dhe drejtorët e institucioneve islame, kryeimamët dhe kryetarët e këshillave ekzekutivë të Mexhliseve. Ata e shprehën vullnetin e tyre përmes votimit të fshehtë.
Reisul-Ulemas së sapozgjedhur, menshurën do t’ia dorëzojë më 15 nëntor kryetari i Kuvendit të Bashkësisë Islame në Bosnjë dhe Hercegovinë, në një ceremoni të veçantë në Xhaminë e Gazi Husrev-begut në Sarajevë, ku ai do të bëjë edhe betimin.
Menshura është dokument solemn me të cilin vërtetohet se një person është emëruar ose zgjedhur në mënyrë të ligjshme Reisul-Ulema dhe se, në përputhje me të drejtën e Sheriatit, është i autorizuar t’u japë autorizime të ngjashme edhe zyrtarëve fetarë që janë nën përgjegjësinë e tij.
Biografia e shkurtër
Nedžad Grabus ka lindur në vitin 1968. Medresenë Gazi Husrev-beg e ka përfunduar në vitin 1987.
Studimet akademike i ka kryer në Fakultetin e Shkencave Islame në Sarajevë, ku është diplomuar në vitin 1994, ka magjistruar në vitin 2001 dhe ka doktoruar në vitin 2008. Nga viti 1995 deri në vitin 1999, ai i ka përfunduar të gjitha provimet e studimeve pasuniversitare në Fakultetin Filozofik në Sarajevë, në drejtimin e Filozofisë.
Ka ligjëruar në Fakultetin Teologjik të Universitetit të Lubjanës dhe ka qenë ligjërues i ftuar në Fakultetin Juridik të Universitetit të Vjenës.
Në Fakultetin e Shkencave Islame në Sarajevë ka qenë mentor i studentëve në studimet themelore, pasuniversitare dhe doktorale. Gjithashtu, ka qenë anëtar i komisioneve për mbrojtjen e punimeve të magjistraturës dhe doktoratës në fakultetet e Sarajevës, Bihaqit, Lubjanës dhe Zagrebit.
Ka botuar një numër të konsiderueshëm librash, punimesh shkencore, përkthimesh, artikujsh akademikë, recensionesh dhe analizash në revista vendore dhe ndërkombëtare me rëndësi shkencore.
Intervistat e tij janë botuar në media përkatëse në gjuhën boshnjake, sllovene, arabe, gjermane, turke dhe angleze.
Ka marrë pjesë dhe ka mbajtur kumtesa në konferenca të shumta akademike ndërkombëtare, si dhe në debate publike e forume ku janë diskutuar çështjet e fesë, arsimit, kulturës, dialogut ndërfetar dhe diplomacisë fetare.
Ai flet gjuhën arabe, angleze dhe sllovene.






