Home Aktuale Paralajmërohet protestë e madhe para selisë së UEFA-s

Paralajmërohet protestë e madhe para selisë së UEFA-s

726
0
SHARE

Grupi i tifozëve të Kombëtares shqiptare, “Tifozat Kuq e Zi” po organizojnë një protestë kundër vendimit të Komisionit të Etikës, Kontrollit dhe Disiplinës të UEFA-s për ndeshjen eliminatore të “Euro 2016”: Serbi – Shqipëri, e zhvilluar më 14 tetor në Beograd, bën të ditur të mërkurën e përditshmja sportive nga Shqipëria “Panorama-Sport”.

Kjo protestë, sipas paralajmërimeve, pritet të jetë masive dhe do të mbahet të dielën në Nyon të Zvicrës, para selisë së UEFA-s.
Në fakt, zemërimi i tifozëve kuqezi vjen pas vendimit të UEFA-s që ndeshjen e ndërprerë në Beograd, ku futbollistët shqiptarë u sulmuan nga huliganët serbë, ta regjistrojë 3:0 në të mirë të Serbisë.

Organizatorët e kësaj proteste parashikojnë pjesëmarrjen e rreth dhjetë mijë shqiptarëve nga mbarë Evropa. Ata, në mënyrë paqësore do të kërkojnë drejtësi për Kombëtaren e Shqipërisë. Protesta do të ketë moton “Kundër diskriminimit, padrejtësisë dhe racizmit ndaj shqiptarëve”.

“Ne presim qytetarë jo vetëm nga Zvicra, por edhe nga Franca, Gjermania e Italia”, ka thënë Artim Elmazi, anëtar i tifogrupit “Tifozat Kuq e Zi”, përcjell “Panorama-Sport”.

Një protestë e tillë në të njëjtën ditë dhe orë, do të mbahet edhe në Danimarkë. Këtë e ka paralajmëruar anëtari tjetër i “Tifozave Kuq e Zi”, Beqir Selimi. Ai ka thënë se protesta do të mbahet para selisë së Federatës së Futbollit të Danimarkës në Kopenhagë dhe ka ftuar të gjithë shqiptarët që jetojnë në shtetet skandinave t’i bashkohen kësaj thirrjeje. Ai ka ftuar pjesëmarrësit që me vete të kenë edhe pankarta.