Home Aktuale Një “Like” ku mund të na çoj?

Një “Like” ku mund të na çoj?

1144
0
SHARE

Derisa lexoja Kur’anin me përkthim,  në celular më erdhi një mesazh nga një mik i imi i cili më luste të hap internetin dhe të shikoj një status të shpërndarë në një faqe islame dhe t’i tregojë se ç’mendim kam për të. Në pyetje ishte një “hadith”.

Muhamedi a.s. ka thënë: “Më keq është të thyesh zemrën e dikujt se sa të shkatërrosh Qabenë, sepse Qabenë e ka ndërtuar njeriu, ndërsa zemrën Allahu i Madhërishëm.”

Menjëherë pas kësaj pash se në rrjetin social po qarkullonte citati i përmendur (hadithi) dhe shumë shpejt në atë faqe u shtuan “like-t”. Për 14 minuta ky status morri mbi 400 “like” dhe mbi 20 shpërndarje. Shumica po mahniteshin me këtë citat dhe e shpërndanin në statuset e tyre, derisa u paraqit një vëlla i cili tha se hadithi në fjalë është apokrif (i shpifur).

Pas kësaj filluan të paraqiten disa motra të cilat mundoheshin të “kuptojnë” se a është hadith apo nuk është. Kur them “motra që mundoheshin të kuptojnë” është e qartë se është fjala për disa motra të proveniencës selefiste, sepse prej tyre pritet që në mënyrë profesionale dhe me shkathtësi të “trajtojnë” hadithet”.

Për më tepër në këtë, dhe në faqe të tjera të ngjashme, që janë bërë me qindra, çdo ditë publikohen me dhjetëra hadithe, foto me citate të dijetarëve të gjithëdijshëm si dhe video, dhe në përgjithësi thuhet “Ebu ai”, “Ibn ky”. Sikur ne në ballkan nuk kemi aspak dijetarë.

Tani t’i kthehemi hadithit të cituar më parë. Supozoj se “hadithin” në fjalë e ka publikuar një besimtar (admin) i pa ditur i proveniencës selefiste, i cili pas gjysmë ore, i njëjti e kishte fshirë “hadithin”. Sigurisht sipas këshillës së ndonjë vëllai apo motre më të ditur.

Për ekspertët e fushës së psikologjisë islame do të ishte interesante të analizonin ato qindra dashurues të atyre citateve prekëse (haditheve) të cilët pa asnjë hezitim dhe reflektim të bëjnë “like” statuse  të tilla. Edhe në qoftë se janë të vërteta, a thua vallë meritojnë të pëlqehen aq shumë, ndërsa një tekst që është 100 herë më i dobishëm me javë qëndron dhe nuk mund të merr as dhjetë “like”.

I bëj vetes pyetje, ndonëse duke qenë plotësisht i vetëdijshëm se asnjëherë nuk do të marrë përgjigje, se kush janë këta profile të njerëzve që në mënyrë aq të ëmbël dhe me një shpejtësi marramendëse arrijnë të regjistrojnë statuse të tilla dhe t’i japin aq rëndësi të madhe nëpër profilet e tyre sa që të fitojnë qindra pëlqime.

Në fakt, nuk është ky rasti i parë që një individ apo grupe të caktuara përhapin gënjeshtra mbi Pejgamberin a.s., ndërsa muslimanët tanë të padijshëm bien në ato gënjeshtra edhe atë publikisht në rrjetet sociale.

Nuk mund ta kuptoj çka duhet të publikosh, që për 12 minuta, të fitosh  451 “like”, mirëpo e di se me kësisoj “njohës të fesë”  e ardhmja është e zymtë.

Është, vërtetë, shumë vështirë të mbrohet Islami prej muslimanëve të tillë, që fëlliqin burimet e tij të pastra.

Rrjetet sociale janë bërë arenë debatesh mes selefistëve, shiitëve dhe neve hanefistëve që, pa nevojë, u kushtojmë rëndësinë çfarë nuk e meritojnë të dy grupet e para.

Jemi lodhur duke u marrë me akidet e ndryshme (maturidije, tahavije, vasitije, esharije, etj). Sikur muslimanët e thjeshtë  dinë t’i dallojnë këto. Nuk kemi se çka të lodhemi me gjëra të tilla kur dihet se komentimi i Islamit këtu tek ne në Ballkan, në mënyrë institucionale, bëhet sipas drejtimit hanefij/maturidij, dhe nuk ka nevojë të merremi me disa “zhurmaxhinj” të cilët mundohen të bindin se kemi akide të devijuar. Për më tepër në Ditën e Gjykimit Allahu i Madhërishëm nuk do të na pyes për këto gjëra.

Është për të ardhur keq që në faqe të ndryshme islame me të madhe promovohen dijetarë provincial nga Saudia, Turqia dhe Irani, ndërsa në ato faqe shumë pak mund të hasësh në citate apo shkrime të dijetarëve të mëdhenj  islam. Në rrjetet sociale shumë lehtë hasësh në citate të “shejhëve” të ndryshëm saudian apo iranian se sa citate apo tekste nga dijetarët e njohur të botë islame, si Imam Ebu Hanife, Imam Ahmed in Hanbeli, Imam Shafiu, Imam Maliku, Imam Maturidu, Imam Gazali, Tahaviu, Muhamed Gazali, Shejh Kardavii, Zahid El-Keutheri, Selman El-Aude etj.

Për më tepër ne muslimanët e Ballkanit kemi dijetarët tanë  të cilët aspak nuk i përfillim. Ne vend që t’i lexojmë dhe blejmë librat e ndonjë Motahiri apo Ebu Muhamedi, të lexojmë librat apo tekstet e Ibrahim Dalliut, Hafiz Ali Korçës,  Vehbi Sulejman Gavoçit, Shuajb Arnautit, Nexhat Ibrahimit, Abdi Baletës, Muhamet Pirakut, Muhamed Sytarit, Jusuf Zimerit, Fahrudin Ebibi, Mehmed Hanxhiqit, Husein Gjozos, Enes Ljevakoviçit, Enes Kariçit, etj.

Si është e mundur që një arab, turk apo iranian t’i dijë më mirë çështjet tona të kësaj bote dhe si është e mundur që fetvat apo mendimet e tyre të jenë më kompetente  se ato fetva që mund t’i marrim nga dijetarët tanë në Ballkan?!
Në të vërtetë nuk mund t’i  kuptoj ata që japin “Like” një hadithi të shpikur, ndërsa nuk i bëjnë “Like” një teksti shkencor nga dijetarët  tanë të njohur!

Përgatiti: Arsim Dauti

LEAVE A REPLY