Home OPIONIONE Ndarja e Kosovës dhe ngjyrat e flamurit

Ndarja e Kosovës dhe ngjyrat e flamurit

872
0
SHARE
Nga Adriatik Kelmendi – Më 1999 u çlirua Kosova, por u humb çfarëdo mundësie administrimi me serbët dhe komunat ku ata përbënin shumicën. Më 2008 u pavarësua Kosova, por po aq u “pavarësuan” serbët nga qeverisja e Prishtinës. Më 2015, ligjshmëria e Republikës së Kosovës po shtrihet në të gjithë territorin, por kurrë me më pak fuqi ligjore të Prishtinës mbi serbët kosovarë. Faktet i kemi gjakftohta. Vetëm edhe duhet të gjykojmë me gjakftohtësi. Në të kundërtën, episodi i katërt edhe mund të jetë – Kosova anëtare e OKB-së, por pa një pjesë të territorit të saj.
DHE KUR DO TË vijë dita e t’i themi: boll. Mirëpo boll në kuptimin që do ta ndërrojë këtë që po na vjen tash e 16 vjet.

Çështja e mosushtrimit të kontrollit të Prishtinës në komunat e banuara me shumicë serbe nuk na ka lindur sot. Sot po e shohim se sa të pazotë, të paide dhe të pavullnetshëm kemi qenë gjatë gjithë këtyre viteve për të prodhuar diçka më shumë sesa që kemi aktualisht.

Asociacioni/Bashkësia e Komunave me Shumicë Serbe është më së paku produkt serb. Ai është kryekëput produkt shqiptar, i sponsorizuar edhe nga bashkësia ndërkombëtare.

Ne shqiptarët, si etni shumicë në Kosovë, kemi dështuar që të prodhojmë argumente bindëse për komunitetet pakicë, veçanërisht për komunitetin serb, si më armiqësori në realitetin e ri të krijuar, në mënyrë që ata t’i drejtojnë sytë nga Prishtina.

DUHET KUPTUAR: të jesh pjesë e Evropës dhe të mendosh se mund të krijosh shtet të pastër etnik, kjo nuk është e mundur. E kishin provuar vetë serbët në fund të shekullit të kaluar, dhe ja ku janë sot. Serbia, gjatë gjithë kufijve të saj territorialë, ndeshet me popullatë etnike serbe që tash jeton në shtete të tjera, si në Kosovë, në Mal të Zi, në Bosnjë-Hercegovinë dhe në Maqedoni. Ajo humbi çdo përkrahje të botës perëndimore demokratike, u sanksionua dhe u bombardua, vetëm pse kujtoi me arrogancë se mundet e vetme dhe kundër të gjithëve t’i bashkojë të gjithë serbët brenda një shteti.

Këtë digresion nuk po e bëj për të tërhequr ndonjë paralele direkte me shqiptarët dhe Kosovën sot, se është çmenduri të krahasohet Serbia e Milosheviqit me Kosovën e sotme. Por pikërisht falë një politike të çmendur e me kërkesa ekstreme të Milosheviqit, Kosova, nga një krahinë e panjohur, u bë kryetema botërore e politikës dhe diplomacisë në fundshekullin e kaluar me produktin final – lindjen e shtetit më të ri në Evropë.

Mirëpo Milosheviqi nuk ishte i vetmi fajtor në këtë politikë. Në Serbi dështoi e gjithë shoqëria, meqë nuk ia doli të krijonte një masë kritike, qoftë në skenën politike ose në shoqëri civile, e cila do të impononte një alternativë demokratike. Me fare pak përjashtime, shoqëria serbe e viteve ’90 mbështeti politikat ultranacionaliste të Milosheviqit në dëm të të gjitha etnive të tjera në ish-Jugosllavi dhe arriti efektin e kundërt, krijimin e shteteve të pavarura ku serbët janë pakicë, rrugës duke lënë edhe mbi 150 mijë të vrarë e miliona të zhvendosur.

Duke pasur parasysh këto, doli maksima aq e drejtë e shqiptarëve: edhe nëse Nëna Terezë do të vijë në pushtet në Beograd, ne nuk pranojmë të jemi brenda një shteti me Serbinë.

TË KTHEHEMI tash në Kosovën e ditëve të sotme. Këtu ka ndodhur diçka krejt tjetër.
Në fillim, menjëherë pas luftës, kur shqiptarët përfundimisht fituan njëfarëlloj pushteti në Kosovë, dështuam të sillemi si udhëheqës të shoqërisë bashkëkohore, ku merret përgjegjësia për qeverisje me të gjithë qytetarët e vendit. Natyrisht se plagët shqiptare nga krimet serbe ishin të thella dhe shumë të freskëta, por si duket udhëheqësit, që dolën nga partitë e luftës, nuk e kishin hallin e këtij argumenti kur bëhej fjalë për pakicat. Numri më i madh i tyre i pa komunitetet pakicë – veçanërisht serbët, e jo më pak edhe romët, ashkalinjtë dhe egjiptianët – si mundësi zhvatjeje e biznesi dhe jo si politikë shtetërore. Kështu, aty ku kishte mundësi të plaçkitej ose përvetësohej ndonjë pronë, serbët e të tjerët joshqiptarë u dëbuan, kurse në veri dhe në komunat ku ishin të koncentruar më tepër, as që u bë ndonjë përpjekje për qasje.

Në këtë frymë, liderët shqiptarë të pasluftës, qysh atëherë u pajtuan se serbët, aty ku janë shumicë, mund të jetojnë si të ishin pjesë e Serbisë, dhe natyrisht se këta të fundit edhe e bënë këtë. Në të njëjtën kohë, përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare, duke parë sjelljet e liderëve shqiptarë ndaj pakicave në komunat ku serbët e të tjerët ishin pakicë, gjithashtu inkurajuan segregacionin etnik, ose Serbitë e vogla në Kosovë.

Ky ishte shansi i parë i huqur.

I dyti, erdhi me Shpalljen e Pavarësisë. Pavarësisht përpjekjeve të kryenegociatorit Ahtisaari që të krijojë kornizat e momentumin për shpalljen e një shteti të pavarur inkluziv dhe me kohabitim të etnive, me të arritur të pavarësisë, diskursi dominues i shumicës shqiptare nuk ishte zhvillimi ekonomik, sundimi i ligjit, demokratizimi, lufta ndaj korrupsionit, arsimimi, por ishte ai populist – ngjyrat e flamurit.

Në anën tjetër, serbët shfrytëzuan rastin që t’i digjnin pikat doganore, t’i ngrinin barrikadat dhe të largoheshin edhe më tepër nga çfarëdo mundësie qeverisjeje nga Prishtina. Mesazhin e debateve të këtilla populiste, ata mezi s’prisnin që ta shfrytëzonin, duke akuzuar shqiptarët se po duan të krijojnë shtet vetëm për vete; rrjedhimisht se në shtetin e pavarur të Kosovës nuk ka vend për serbët dhe për këtë arsye ata duhet t’i bashkohen Serbisë. Për dallim nga shqiptarët e viteve të paraçlirimit e parapavarësisë, ata s’e ndien fare nevojën të argumentonin për ndonjë keqqeverisje të udhëheqësve të Prishtinës ndaj tyre; meqë as që kishte ndonjë strategji të mirëfilltë të Prishtinës për të qeverisur me ta. Në Prishtinë po merreshim me ngjyrat e flamurit.
Kjo miopëri e spektrit politik shqiptar të Kosovës solli edhe ridizajnimin e aspiratave të serbëve ndaj Kosovës, sidomos pas disfatës që e pësuan me vendimin e GJND-së. Koshientë se në rrethanat aktuale gjeopolitike Kosova s’ka se si të jetë më pjesë e Serbisë, ata hartuan platformën për ndarjen e shtetit të ri. Hapi më i rëndësishëm i kësaj ndarjeje të synuar ka ndodhur me Asociacionin/Bashkësinë… E, pikërisht gjendja e re e krijuar tash me Asociacionin/Bashkësinë do të duhej të kuptohej si shansi i tretë, por edhe i fundit, kur spektri politik shqiptar në Kosovë mund të punojnë për të fituar atë që po humbet.
Shenjat e para janë shumë brengosëse. Partitë në pushtet, PDK e LDK, po vazhdojnë të relativizojnë rrezikun real që i kanoset funksionimit të shtetit me krijimin e Asociacionit/Bashkësisë…, e cila do të udhëhiqet nga politikanë që nuk e fshehin synimin që të jenë pjesë e një shteti tjetër. Kurse partitë opozitare, “Vetëvendosje!”, AAK dhe NISMA, përveç akuzave e sharjeve për tradhti ndaj pushtetit, dhe reduktimin e debatit vetëm në rrafshin e dominimit etnik, nuk po shihet të dalin me një alternativë për integrimin e serbëve.

RREZIKU, PRA, është shumë real, që të përsëriten të njëjtat gabime që janë bërë edhe pas luftës e edhe pas Shpalljes së Pavarësisë.

Në të tria këto raste, sa është fituar aq edhe është humbur.

Më 1999 u çlirua Kosova, por u humb çfarëdo mundësie administrimi me serbët dhe komunat ku ata përbënin shumicën.
Më 2008 u pavarësua Kosova, por po aq u “pavarësuan” serbët nga qeverisja e Prishtinës.
Më 2015, ligjshmëria e Republikës së Kosovës po shtrihet në të gjithë territorin, por kurrë me më pak fuqi ligjore të Prishtinës mbi serbët kosovarë.
Faktet i kemi gjakftohta. Vetëm edhe duhet të gjykojmë me gjakftohtësi.
Në të kundërtën, episodi i katërt edhe mund të jetë – Kosova si anëtare e OKB-së, por pa një pjesë të territorit të saj.