Home Aktuale Myftiu Saqipi: Maqedonia duhet të lirohet nga dhuna dhe urrejtja patologjike

Myftiu Saqipi: Maqedonia duhet të lirohet nga dhuna dhe urrejtja patologjike

662
0
SHARE
Nuk lejohet me asnjë normë të përdhoset institucioni më i lartë legjislativ i një shteti, siç është Maqedonia shumetnike e multifetare, për interesat e grupeve politike si ato të ish regjimit, të cilat të verbuara nga shovenizmi e të shfrenuar nga urrejtja ndëretnike, provojnë t’i shkatërrojnë vlerat institucionale të ngritura me votat e popullit.
Pamjet trishtuese, që erdhën nga incidentet në Parlamentin e Maqedonisë, të shkaktuara nga huliganët ultra-nacionalistë të Gruevskit, jo vetëm që përgjakën të zgjedhurit e popullit, por edhe skuqën imazhin e një shteti, duke shkelur mbi parimet e demokracisë dhe civilizimit.

Nuk lejohet me asnjë normë të përdhoset institucioni më i lartë legjislativ i një shteti, siç është Maqedonia shumetnike e multifetare, për interesat e grupeve politike si ato të ish regjimit, të cilat të verbuara nga shovenizmi e të shfrenuar nga urrejtja ndëretnike, provojnë t’i shkatërrojnë vlerat institucionale të ngritura me votat e popullit.

Gjithashtu, nuk lejohet të eskalohet dhuna e mëtejme, duke u zhvendosur nga Parlamenti, në rrugë e sheshe, për të prodhuar incidente të kobshme dhe jo të hijshme për botën e qytetëruar.

Maqedonia si kurrë njëherë më parë, është në rrugën e mbarë, për t’i vënë themelet e një shteti të vërtet e me dinjitet, mbi bazat e shëndosha të demokracisë, reciprocitetit dhe elementeve shtet-formuese.

Shqiptarët e Republikës së Maqedonisë, janë element shtet-formues dhe autokton, të cilët në të gjitha proceset demokratike për zhvillimin e vendit, kanë dhënë kontributin e tyre të çmueshëm, duke treguar maturi e pjekuri politike, duke reflektuar frymën e tolerancës, mirëkuptimit e bashkëjetesës, virtyte këto karakteristike të shqiptarëve në përgjithësi.

Përkundër dhunës së shfrenuar në Parlamentin e Maqedonisë dhe tensioneve të acaruara pas këtyre ndodhive, maqedonët dhe shqiptarët, si dy popuj, që bashkëjetojnë në një shtet, duhet përmes përfaqësuesve të tyre legjitimë dhe institucioneve të dala nga vota e qytetarëve, t’i kthen normalitetit, të dialogojnë për një të ardhme më të mirë e me perspektivë evropiane.

Maqedonisë, më shumë se kurrë i nevojitet paqja, siguria, qetësia e mirëqenia njerëzore, vetëm me këto vlera ajo mund të ec përpara e të zhvillohet si vendet me demokraci të përparuar.

Populli i Luginës së Preshevës, i cili është i lidhur tradicionalisht me vëllezërit e tyre në Maqedoni, nuk e dëshiron një shtet fqinj me probleme të natyrës politike dhe ekonomike, që prodhon konflikte dhe destabilitet ndër-rajonal. Po ashtu edhe ndërkombëtarët nuk e duan një Maqedoni problematike dhe mesazhi i të gjithëve është që të respektohen rezultatet e shumicës së deputetëve për zgjedhjen e kreut të institucionit më të lart në shkallë republike.

E ardhmja progresive e Maqedonisë është mbrojtja dhe zhvillimi i institucioneve legjitime, të dala nga zgjedhjet e reja, të cilat i japin frymë dhe kuptim demokratik, këtij vendi, që deri dje përballej me probleme të natyrave të ndryshme, jo të lakmueshme për vendorët dhe ndërkombëtarët.

Kështu e shohim ne nga Lugina, ardhmërinë e Maqedonisë, tjetër alternativë nuk ka, thuhet në apelin për paqe të Myftiut Nexhmedin ef. Saqipi, kryetar i BIPBM-së dhe zëvendës-reis i Rijasetit të Bashkësisë Islame për Serbi.