Home Aktuale Maqedoni:Debate se kush do të jetë në Qeverinë pas 27 prillit

Maqedoni:Debate se kush do të jetë në Qeverinë pas 27 prillit

907
0
SHARE

Në Maqedoni ditët e fundit të fushatës së partive politike shqiptare janë të dominuara nga dilema se kush do të jetë në Qeverinë e ardhshme.

Kjo çështje debati ka nxitur reagime dhe akuza midis dy partive shqiptare BDI dhe PDSH, informon agjencia e lajmeve INA.

Kanë ngelur edhe dy ditë të fushatës së zgjedhjeve dhe se partitë pritet që këtë temë ta shtrojnë deri në fund të saj, duke e përdorur para elektoratit.

BDI që deri tani ishte pjesë e koalicionit qeverisës me VMRO-DPMNE ka theksuar se pjesë e koalicionit do të jetë ajo parti që fiton më shumë mandate deputetësh në zgjedhjet e 27 prillit.

Por nga ana tjetër, edhe PDSH ka bërë të ditur se ajo do të jetë pjesë e koalicionit dhe se ditëve të fundit po zhvillon negociata me VMRO-DPMNE që do të jetë fituese e zgjedhjeve, për të formuar koalicionin e ardhshëm qeverisës.

Këto zëra të partisë së deritanishme shqiptare në opozitë ka ashpërsuar mesazhet e BDI dhe liderit të saj Ali Ahmeti. Ky i fundit nga mitingu në vendlindjen e tij në Kërçovë bëri të qartë se ‘ai që fiton mandatin me më shumë vota tek shqiptarët do të hyjë në qeveri, përndryshe eksperimentet e tjera janë të pasuksesshme”.

“Vetëm votuesi vendos se kush do të drejtojë legjislativin dhe ekzekutivin. Nuk vendosin bodrumet e as marrëveshjet e fshehta e tinëzare. Ne partneritet kemi me votuesit shqiptarë të Maqedonisë. BDI prej ciklit në cikël ka dalë edhe më e fortë, më e organizuar dhe kësaj radhe si asnjëherë më parë jemi më të fortë”, deklaroi Ahmeti.

Por lidhur me këtë çështje, është përgjigjur edhe lideri opozitar shqiptar Menduh Thaçi nga mitingu i mbajtur në Strugë.

“Unë do i përgjigjem hapur se në Qeverinë e ardhshme do ketë shqiptarë dhe do të jetë pjesë e saj partia më e madhe shqiptare PDSH. Ne jemi në biseda intensive me VMRO-në për ta krijuar qeverinë e 28 prillit dhe ata vazhdojnë të flasin jerm dhe përçart. Nëse ata çojnë porosi kërcënuese unë hapur u them atyre dhe u premtoj juve se sa për BDI dhe Ali Ahmetin nuk e kam asnjë shqetësim dhe se me vetëm një deputet hyjë në qeveri’’theksoi lideri i PDSH-së.

Këto debate nuk janë komentuar nga partitë maqedonase, por edhe nga nga VMRO-DPMNE, e cila thirret si favorite për të fituar në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 27 prillit, por edhe presidentin e vendit. Nga ana tjetër, edhe LSDM nuk është përfshirë në këtë debat që edhe mbrëmë ka qenë pjesë e mesazheve të Ahmetit dhe Thaçit në mitingjet e mbajtura në Gostivar dhe Shkup.