Ndonëse ishin persona me meritën më të madhe për Marrëveshjen e Ohrit, ish-pjesëtarët e UCK-së mbeten pa status të njohur, njofton agjencia e lajmeve INA.
Madje një pjesë e madhe e tyre në rrethana misterioze janë ekzekutuar, burgosur nga regjimi aktual në Maqedoni. Disa ish-ushtarë në mungesë të perspektivën kanë braktisur vendin për një jetë më të dinjitetshme në vendet e perëndimit.
Të ndarë në tre shoqata, ish-komandantë të pakënaqur dhe të indinjuar, vrasje të mbetura në mister dhe familje dëshmorësh që përballen me varfërinë e tejskajshme dhe pakujdesinë e shtetit, bilanci i luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Maqedonisë është negativ.
Drejtuesit e BDI disa herë kanë premtuar zgjidhje të shpejtë të kësaj çështjeje, për të cilën është angazhuar edhe kryetari Ali Ahmeti. Mirëpo, 14 vite pas përfundimit të luftës akoma nuk është shënuar asnjë rezultat në këtë drejtim.
Dëmet më të mëdha të luftës i përjetoi rajoni i Karadakut, konkretisht fshatrat e Komunës së Likovës. Sllupçani ishte fshati ku u vendos Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së. Në këtë fshat, nga 600 shtëpi sa kishte në vitin 2001, vetëm 8 mbeten pa u prekur nga granatimet e ushtrisë dhe policisë maqedonase.
Në Vaksincë, nga 420 shtëpi, vetëm 20 mbetën pa u shkatërruar. Shtëpitë e fshatit Opajë thuajse u dogjën tërësisht, ndërsa e njëjta situatë ishte shënuar edhe në Mateç. U shkatërruan mbi 10 xhami, shkolla dhe ambulanca, ndërsa të gjitha më pas u ndërtuan me paratë e banorëve, pa ndihmën e shtetit.
E njëjta ndodhi edhe me rindërtimin e shtëpive, pasi organizatat ndërkombëtare nuk ndihmuan në riparimin e të gjitha dëmeve. Në shumë fshatra të këtij rajoni, akoma shihen pasojat e luftës.
Karadaku, ku veproi Brigada 112 dhe 113, shënon edhe numrin më të madh të dëshmorëve dhe invalidëve të luftës, ndërsa zë vendin e parë edhe me numrin e civilëve të vrarë, në mesin e të cilëve fëmijë, gra dhe pleq. (INA)






