Në rezolutën e Parlamentit Evropian për Kosovën nuk është vetëm Kosova që duhet të kryejë detyrat e shtëpisë, por edhe Bashkimi Europian, i cili duhet të rifitojë kredibilitetin e qytetarëve të Kosovës.
Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, forcimi i shtetit ligjor dhe gjyqësorit, si dhe krijimi i një perspektive më të mirë ekonomike dhe sociale për vendin kanë qenë shqetësimet kryesore për Kosovën gjatë debatit në Parlamentin Europian.
Rezoluta e raportueses Ulrike Lunaçek nxit hetime të thella e transparente ndaj dyshimeve për korrupsion nga punonjësit e EULEX-it, për të kthyer besimin e qytetarëve të Kosovës në misionin e BE-së.
Por, duke u përgjigjur për ABCnews, raportuesja Lunaçek ka deklaruar se Kosova pritet të ketë lajme të mira për liberalizimin e vizave.
Ulrike Luaçek, raportuese për Kosovën, ka shprehur bindjen se gjërat po lëvizin përpara drejt liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.
“Unë isha shumë e kënaqur kur dëgjova komisionerin Avramopulos të deklaronte se Kosova është drejt hapave të fundit për arritjen e liberalizimit të vizave. Është hera e parë që dëgjoj diçka të tillë nga Komisioni, që vuri në pah se do të ketë lajme të mirë së shpejti. Autoritetet e Kosovës duhet të aprovojnë edhe 4 ligje. Unë nuk jap data, por nëse Kosova i aprovon ligjet dhe Komisioni vazhdon punën, atëherë shtetet anëtare duhet të thonë ‘po’. Ata e kanë kuptuar, se arsyet kryesore të emigracionit masiv kohët e fundit, janë se qytetarët e Kosovës e ndiejnë veten të izoluar në Ballkan”, ka thënë ajo për ABC News.
Lunaçek ka thënë se pesë shtetet anëtare të BE-së nuk po bëjnë asgjë për të njohur pavarësinë e Kosovës.
“Pesë shtetet anëtare më dëgjojnë, por problemi është që ato nuk bëjnë asgjë për këtë. Është hera e pestë që unë bëj thirrje për njohje të pavarësisë së Kosovës nga pesë shtete”, ka thënë ajo.
Ulrike Lunaçek ka tërhequr vërejtjen edhe për situatën në Maqedoni.
“Të gjitha institucionet evropiane janë dakord për përkeqësimin e dukshëm të situatës politike dhe sociale në Maqedoni, që tashmë reflektohet me shumëfishimin e shqetësimeve në disa fusha”, ka thënë ajo.






