Ndihma për Luginën vetëm sa ka filluar – le të kritikojmë për ta nxitur e jo për ta sabotuar
Vërejtjet dhe pakënaqësitë që kemi ndaj qeverive në Shqipëri e në Kosovë nuk duhet të na bëjmë që të mos vlerësojmë kur ndërmarrin një nismë të mirë për shqiptarët dhe rajonin.
Takimi në Prizren mund të ketë qenë vërtet më shumë për imazh politik sesa nisur nga atdhedashuria apo ndjenja e detyrës dhe e përgjegjësisë publike, por më mirë kur politikanët tanë nisen nga synime të ulëta e bëjnë punë të mira sesa kur nisen nga vizione të mëdha e bëjnë maskarallëqe.
Fondi Humanitar për Preshevën është një hap i mirëpritur, ndonëse i vonuar. Është bujar, ndonëse më pak se sa do të dëshironim. Akti, përpara se të kritikohet e përtallet duhet të duartrokitet dhe inkurajohet.
Lugina e Preshevës është lënë në heshtje e në harresë, ndërkohë që zbrazet dita ditës nga shqiptarët që detyrohen të ikin jo në kërkim të luksit, por thjesht të mbijetesës. Tani që më në fund po bëhet diçka, sado e vogël, ka filluar kori i kritikave. Ku ishin ata deri dje kur shuma e dhënë për Preshevën ishte zero?
Lugina ka nevojë për çdo qindarkë. Është në një situatë të tmerrshme. Rinia nuk sheh më të ardhme e dëshiron të largohet. Është e padrejtë që një zonë kaq nevralgjike për ekonominë e rajonit dhe të Europës, me rrugëkalime kyçe, të mbetet pa shanse ekonomike.
Një fond “humanitar” në Zvicër ka deklaruar se do t’i japë nga 100,000 dollarë qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës për hallet e tyre. Ideja është që shuma që kanë dhënë dy qeveritë është qesharake në krahasim me nevojat e Luginës së Preshevës. Po nëse kësaj shoqate i dhemb vërtet Lugina dhe nëse i ka vërtet 200,000 dollarët që pretendon, pse nuk ia ka dhënë deri tani Preshevës, në vend që t’i ruajë për cirk politik?
Të tallesh e të kritikosh është lehtë. Të përpiqesh seriozisht për të ndryshuar realitetin kërkon punë, seriozitet dhe durim.
Më shumë se për ndihma, rajoni ka nevojë për investime që hapin vende pune. Paraja që investohet ka potencialin që të ndihmojë zhvillimin e Luginës duke bërë nga ana tjetër që të fitojë edhe ai që investon. Kështu që herën tjetër, qeveritë e Kosovës dhe Shqipërisë duhet të marrin në konsideratë thirrjen e biznesmenëve vendas për të shqyrtuar ku mund të fitojnë para në Luginë duke hapur biznese aty. Mund të ftojnë shqiptarë nga Lugina me ide biznesi për t’i ndihmuar me hua dhe me mjete teknike. Kjo do të sjellë zhvillimin afatgjatë dhe do t’i riktheje dinjitetin jetës në Luginë.
Shikoni, Shqipëria dhe Kosova nuk po notojnë në para. Shqipëria ka pasur një fundviti të pasuksesshëm nga ana ekonomike. Nëse je socialist ia vë fajin “gropës financiare” që la pas Berisha, nëse je demokrat ia vë fajin politikave pa mend të qeverisë së re dhe paaftësisë së “piktorit” për të kuptuar ekonominë. Po fakti që mbetet është se Shqipëria ka qenë këto javë me kapele në dorë duke kërkuar hua e ndihma nga FMN e institucione të tjera.
Kosova është vetë një ekonomi që ende nuk mban dot veten. Kritikat nuk mungojnë për EULEX dhe BE po le të flasim drejt, pa ndihmën e taksapaguesve europianë, Kosova e ka të vështirë të qendrojë vetë në këmbë. Faji mbetet përsëri te qeveria në fuqi, po vetëm mund të marrim me mend sesa mirë do të kishte dalë një qeveri tjetër në kushtet e këtyre viteve. Sido që ta mendosh, Kosova ka probleme të rënda ekonomike e sociale brenda territorit të saj zyrtar.
Në këto kushte, të dy qeveritë nuk e kanë pasur të lehtë të ndajnë një fond për Preshevën. Ato duhen falenderuar që në kushtet që jetojnë kanë menduar edhe për shqiptarët aty. Ato gjithashtu nuk kanë deklaruar se kjo do të jetë ndihma e fundit që po japin për Preshevën. Fondi vetëm sa ka filluar. Po kritika ndaj shifrave duhet të bëhet në mënyrë që të japë zemër për më shumë ndihma e jo që të bëjë që të pendohen se pse dhanë edhe kaq sa dhanë. Le të bëhemi seriozë për Preshevën.
Le të mos harrojmë gjithashtu se shteti i Serbisë ka detyrime ndaj rajonit të cilat i ka marrë përsipër kur refuzoi që të lejonte shkëputjen e tij. Ka dhënë miliarda për serbët e Kosovës, por ka mbyllur rubinetat për Preshevën. Diplomacia shqiptare dhe ajo ndërkombëtare duhet të bëjnë presion në këtë drejtim. Ose Serbia duhet të financojë rimëkëmbjen e rajonit pa bërë diskriminime etnike, ose minimumi të lejojë decentralizimin serioz të krahinës, që ajo të marrë në duar tërësisht fatet e saj ekonomike. O njëra o tjetra.
Këto janë tema debati të cilat duhet të angazhojnë shqiptarët që vërtet e duan Luginën e që nuk duan që shqiptarët të braktisin trojet e tyre historike në këtë rajon.






