Home Aktuale Krasniqi: Arrestimet, shpërqendrim nga zhvillimet politika ose për të thënë se jemi...

Krasniqi: Arrestimet, shpërqendrim nga zhvillimet politika ose për të thënë se jemi më katolikë se Papa!

723
0
SHARE

I shoqëruar nga zëri i ezanit, imami Shefqet Krasniqi hyri – një ditë pas intervistimit nga Prokuroria – në Xhaminë e Madhe në Prishtinë për ta falur namazin e xhumasë.

Ai mbajti Hutben para xhematit që kishte mbushur oborrin e xhamisë, duke thënë se myslimanët po përballen me një sprovë të madhe. I emocionuar (lotët u panë në fytyrën e tij) deklaroi se dikë po e pengojnë emrat dhe ezani i myslimanëve.

Sipas tij, në mënyra të ndryshme, “dushmanët” po mundohen ta pengojnë fjalën e Zotit.

Pas namazit të Xhumasë, në një bisedë për Politiko.net, Shefqet Krasniqi ka rrëfyer intervistimin për disa orë nga njësia anti-terror, për të cilët thekson se ishin korrektë.

“Mendoj se janë sqaruar shumë gjëra, pse jo edhe disa paragjykime. Kam një bindje që (arrestimi) është rezultat i paragjykimeve, i ekzagjerimeve, i fyerjeve të skajshme, e pak edhe akuzave të pavenda. Këto gjithmonë kanë qenë, por mbetet në ndërgjegjen e secilit”, thotë ai.

Të enjten në mengjës, duke u kthyer për në shtëpi pas faljes së namazit, Krasniqi është ndaluar nga Policia e Kosovës dhe është shoqëruar për t’u intervistuar, nën dyshimin për veprën penale “nxitje e urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit kombëtar, racor, fetar ose etnik”.

Megjithatë, ai thotë se intervistimi i tij nuk ka pasur të bëjë me përhapje të gjuhës së urrejtjes.

“Ligjëratat dhe shkrimet e mia janë publike. Nuk kam thirrur asnjëherë diçka që është antivlerë, diçka që përhap urrejtje. Asnjëherë, sepse në atë rast unë jam në kundërshtim me parimet e Kuranit, respektivisht me misionin tim me të cilin jam i thirrur”, ka deklaruar Krasniqi.

Ai thotë se kërkon prej të tjerëve “që të na lejojnë të lirë dhe të jetojmë me bindjet dhe idetë tona”.

“Nëse jetojmë në një Kosovë e cila është multikulturore, multietnike dhe multifetare, liritë fetare do t’i gëzojë secili. Është e vërtetë se myslimanët nuk i kanë të drejtat dhe liritë fetare. I kanë të cunguara”.

Shefqet Krasniqi nuk e përjashton mundësinë që aksionet e tilla të arrestimeve kanë për qëllim të tërheqin vëmendjen e opinionit nga zhvillimet e fundit politike.

“Këtu ka shumë thashetheme. Ka më shumë se një mundësi. Është një mundësi e tillë, që është folur edhe nga analistët, liderë politikë të ndryshëm. Por, është edhe mundësia tjetër, t’i tregojnë Perëndimit se ‘ne jemi më katolikë se Papa’ dhe ‘ne i paraprijmë gjërave ende pa ndodhur’. Me të gjitha parametrat, radikalizëm – nëse marrim Ballkanin apo Evropën – më së paku ka në Kosovë. Kosova është me numrin më të vogël të pjesëmarrësve në Siri. Edhe nëse kanë shkuar dhjetë a pesëmbëdhjetë, merren në pyetje dhe merren masa të tjera”.

Imami Krasniqi ka falënderuar ata që e kanë mbështetur, duke thënë se reagimi i tyre rrjedh nga sinqeriteti. /politiko.net/