Sulmet me motive etnike kanë vazhduar në Serbi edhe disa ditë pas asaj që ndodhi në stadiumin e Partizanit të Beogradit, ku po luhej ndeshja e futbollit Serbi – Shqipëri.
Sot në mëngjes ishte tentuar që t’i futej flaka një xhamie në Suboticë, ndërsa në Novi Sad një furrë e bukës, pronë e një shqiptari u sulmua me gurë.
Zjarrvënia në derën e xhamisë në Suboticë ka shkaktuar frikë thonë qytetarët dhe besimtarët. Persona të panjohur para agimit u përpoqën që të djegin shtëpinë e adhurimit të Zotit, transmeton lajmi.net, një shkrim të Radio Televizionit të Serbisë (RTS).
Zjarri u shua nga kalimtarët. Ndërsa, video e një nga kamerat e sigurisë e momentit të zjarrvënies, thuhet se tani është në duart e policisë.
“Nuk duhet të lejohen gjëra të tilla si kjo por duhet ndërmarrë masa, e jo të bëjmë sikur asgjë nuk ka ndodhur. Ne presim që policia t’i ndërmarrë të gjitha masat”, ka thënë imami i xhamisë Selmo Drekovic.
Ndërkohë, në Novi Sad, ishte regjistruar një sulm tjetër. Një natë më parë ishte sulmuar një furrë pronë e një familje shqiptare.
“Jemi këtu qe rreth 60 vjet, dhe asnjëherë nuk na ka ndodhur diçka e tillë. Jemi të befasuar”, thotë pronari i furrës Asllan Rashiti.
Policia e Serbisë thotë se ka mbledhur shumë informacione lidhur me autorët dhe pritet që të arrestojë personat përgjegjës.










