Home LAJME Hapet Panairi virtual i karrierës në UP

Hapet Panairi virtual i karrierës në UP

1034
0
SHARE

Panairi Virtual i Karrierës, i cili u hap sot në Universitetin e Prishtinës, këtë vit solli, mes tjerash, edhe disa risi rreth informimit për mundësitë e praktikës dhe të punësimit të të rinjve përmes një platforme virtuale.

Panair i sivjetmë është i 5-ti me radhë, i organizuar nga Qendra e Karrierës e Universitetit të Prishtinës.

Rektori i UP-së, Ramadan Zejnullahu, i cili e hapi Panairin, tha se punësueshmëria është njëri ndër kriteret themelore të Kartës së Bolonjës, ndërsa Kosova synon që sa më parë të jetë pjesë e kësaj Karte.

“Punësueshmëria është njëri ndër tri kriteret themelore të kartës së Bolonjës të cilën Kosova synon të jetë pjesë sa më parë që të jetë e mundshme. Prandaj, bashkëpunimi i Universitetit të Prishtinës me tregun e punës dhe krijimi i mundësive për qasje të studentëve në tregun e punës është tregues se sa kemi arritur që kurikulat tona t’i përshtatim me kërkesat e tregut të punës dhe se në cfarë mase ne duhet të bëjmë ndryshime në të ardhmen në kurikulën tonë ndoshta ky do të jetë edhe përfitimi më i madh pas përfundimit të kësaj platforme virtuale”, tha Zejnullahu, raporton KP.

Sipas rektorit, qëllimi primar i panairit virtual të karrierës është vendosja e kontakteve mes përfaqësuesve të tregut të punës dhe studentëve, por edhe të studentëve të diplomuar të cilët natyrisht që kërkojnë punë.

Lindita Tahiri, prorektore për bashkëpunim ndërkombëtar dhe cilësi në UP, me këtë rast tha se Universiteti po përpiqet që të sjellë risi të cilat mundësojnë funksionim normal të arsimit.

“Ne po përpiqemi që të sjellim risi të domosdoshme për një funksionim normal të arsimimit. Në rend të parë futjen e praktikës si pjesë të edukimit, ku studentët në mënyrë institucionale vlerësohen dhe marrin kredi për atë praktikë. Kjo me siguri e dini se nuk është një praktikë në çdo njësi akademike. Ka njësi akademike siç është fakulteti i edukimit, si dhe fakultete të tjera që kryejnë këtë obligim ndaj studentëve, por një pjesë e madhe e studentëve përfundojnë studimet pa e praktikuar dijen e tyre. Dhe ne po përpiqemi që ata studentë të kenë mundësi të komunikojnë me tregun”, tha Tahiri.

Ndërkaq, drejtori i teknologjisë informative në UP, Isak Shabani, tha se Zyra e Teknologjisë, në bashkëpunim me zyrat tjera, ka bërë një punë për digjitalizimin e shërbimeve akademike duke i bashkangjitur edhe platformës virtuale.

“Zyra e teknologjisë së informacionit, në bashkëpunim me Zyrën e Cilësisë dhe Zyrën e Karrierës, ka bërë një punë dy-tre mujore ku digjitalizimi i shërbimeve akademike në UP i ka bashkangjitur edhe platformën virtuale për një lidhshmëri, do të thotë për një inovacion më të mirë, në mes studentëve dhe kompanive private dhe institucioneve tjera publike që ofrojnë praktika profesionale në bashkëpunim, do të thotë me UP-në dhe palët përkatëse”, tha Shabani.

Ky Panair mendohet që do u ndihmojë shumë studentëve rreth kryerjes së praktikës së studentëve nëpër institucione apo biznese të ndryshme, qofshin ato private apo shtetërore, praktikë kjo e nevojshme për aftësim për punë. /Telegrafi/