Home Aktuale Hajredin Kuçi: Hashim Thaçi president, ose shkojmë në zgjedhje!

Hajredin Kuçi: Hashim Thaçi president, ose shkojmë në zgjedhje!

789
0
SHARE

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hajredin Kuçi ka thënë se Hashim Thaçi do të zgjedhet president i ri i Kosovës më 2016. Në të kundërtën, sipas tij, vendi do të shkoj në zgjedhje të reja. Në një intervistë dhënë për Gazetën Blic, Kuçi ka thënë se mund të ketë individ që janë kundër Hashim Thaçit president, mirëpo, ai është i bindur se edhe deputetët e LDK-së do ta votojnë.

“Mund të ketë individ që do të veprojnë ndryshe, që është demokratike, por unë besoj se që në vitin 2016 do të funksionoj marrëveshja, dhe më 2018, do të jenë zgjedhjet e reja nacionale. Përndryshe, po e them, jo për kërcënim, të mos e marrë askush, por në Kushtetutë parashihet qartë, që nëse presidenti nuk zgjedhet as në herën e tretë, atëherë shkohet në zgjedhje të reja nacionale. Pra, nuk e kisha dashur që vendi të shkoj në zgjedhje të reja. Unë jam i bindur që LDK-ja ka qenë serioze në marrëveshje edhe ne kemi qenë”, ka thënë Hajredin Kuçi.

Ai në këtë intervistë dhënë për Gazetën Blic thotë se presidentja e vendit, Atifete Jahjaga duket se nuk ka informacion se në marrëveshjen e arritur ndërmjet PDK-së e LDK-së precizohet shumë qartë se më 2016, Hashim Thaçi do të jetë president i vendit.

“E para vendit nuk ka qenë prezente në nënshkrimin e marrëveshjes. Me siguri ka folur për marrëveshjen fillestare. Marrëveshja fillestare, ku janë pajtuar për bashkëqeverisje, nuk ka folur për poste”, ka thënë Kuçi, duke iu përgjigjur deklaratave të Jahjagës se nuk është përcaktuar mandatari për postin e presidentit.

Kuçi ndër të tjera në këtë intervistë ka folur edhe për emërimin e zëvendësministrave. Sipas tij, PDK është e gatshme që menjëherë t’i emëroj zëvendësministrat e saj.

Kuçi ndër të tjera në këtë intervistë flet edhe për mënyrën se si është arritur marrëveshja PDK- LDK, për mënyrën se si janë emëruar ministrat e PDK-së, për Gjykatën Speciale, misionin e EULEX-it, për ndërprerjen e kontratave nga ana e rektorit të Universitet të Prishtinës, Ramadan Zejnullahu…

Shpejt emërohen zëvendësministrat

Gazeta Blic: Z. Kuçi sot është raportuar në medie se gjatë kësaj jave do të emërohen zëvendësministrat. Kur saktësisht do të ndodh një gjë e tillë?

Hajredin Kuçi: Unë besoj që kryetari i PDK-së, z. Thaçi dhe ai i LDK-së, z. Mustafa janë në koordinim për këtë çështje bashkë me partnerët tjerë të koalicionit dhe me kohë do t’i vendosin. Dhe ajo çka do të them është që në çdo kohë që do të kërkohet një veprim i tillë, PDK është e gatshme të marrë një vendim të tillë.

Gazeta Blic: Nga kjo që thoni i bie që në PDK nuk do të ketë telashe dhe pakënaqësi sikurse në LDK për shkak të emrave?

Hajredin Kuçi: Ka ambicie edhe në PDK dhe janë normale. Çdo njeri që është në politikë edhe ka ambicie. Është parti e madhe, ka struktura të mëdha dhe ka shumë njerëz që e meritojnë. Por, ajo çka dua të them është se në PDK ka mirëkuptim për vendimet që merren të balancuara, brenda për brenda PDK-së nga strukturat udhëheqëse.

Gazeta Blic: I kemi parë pakënaqësitë që u shfaqën edhe në PDK edhe me rastin e emërimit të ministarve. Znj. Margarita Kadriu u largua nga PDK. Nuk e tha publikisht se largohet pse nuk u bë ministre, mirëpo ashtu raportuan mediet. A mund të prisni pakënaqësi edhe tek zëvendësministrat?

Hajredin Kuçi: Mua më vjen keq që znj. Kadriu e ka lëshuar PDK-në. Ka qenë e mirëseardhur në PDK. Ka pasur nevojë PDK-ja ende. Natyrisht që ndryshimet edhe angazhimet që i kërkon një individ, janë synimet politike në kuptimin e stazave më të gjata, efeketet nuk janë të menjëhershme dhe nuk është “shok- terapi” në politikë me veprime, por sido që të jetë, dhe pres që ajo ta jep kontributin e vetë dhe bashkëpunimin e kemi të mundur.

Na dëmtuan largimi i Margarita Kadriut dhe Shaip Mujës

Gazeta Blic: A ju dëmtuan largimi i Margarita Kadriut, Shaip Mujës dhe Gëzim Kelmendit nga Grupi Parlamentar i PDK-së?

Hajredin Kuçi: Absolutisht. Si jo? Çdo largim nga PDK është dëmtim për PDK-në. Dhe neve na vjen keq, dhe unë i ftoj në mënyrën më të sinqertë që t’i gjejnë format e bashkëpunimit, format e tolerancës politike, por jo duke prekur dinjitetin e tyre. Por, ata të dytë (Shaip Muja e Margarita Kadriu) janë që kanë kontribuar për PDK-në në forma nga më të ndryshmet dhe se ka hapësirë ende që të kontribuojnë, jo për PDK-në, por përmes PDK-së për vendin. Dhe unë nuk e ndjej veten mirë edhe si nënkryetar i PDK-së, por edhe si anëtarë, kur i kemi dy deputetë më pak.

Gazeta Blic: Kush vendosi në PDK për emrat e ministrave? Kadri Veseli e Hashim Thaçi, apo Kryesia e partisë?

Hajredin Kuçi: Propozimet kanë ardhur nga kreu i partisë, mirëpo miratimi ka qenë nga ana e Kryesisë së partisë, që është normale.

Gazeta Blic: Kishte befasi tek emrat. Z. Enver Hoxhaj dhe z. Bajram Rexhepi mbetën anash. Pse ndodhën këto befasi?

Hajredin Kuçi: Për aq sa e di z. Hoxhaj e ka pasur një ofertë që të jetë ministër për çështje të dialogut, për arsye të ndryshme ka refuzuar që të jetë në atë pozitë. Ndërsa, për z. Rexhepi ndoshta ka qenë problem dikasteri, që ministria e Brendshme, por edhe ajo e Shëndetësisë i takoj dikujt tjetër. Por, unë mendoj që të dy janë kontributdhënës për partinë, dhe janë njerëz që jo vetëm që në të kaluarën kanë dhënë për partinë, por edhe në të ardhmen PDK mund të llogaris në ta dhe ata në PDK-në.

Gazeta Blic: Ju jeni ndër njerëzit kyç të PDK-së, cili ka qenë kriteri kryesor për emrat e ministrave? Ka qenë edhe performanca në të kaluarën? Ta zëmë në rastin e ministrisë që e ka drejtuar Bajram Rexhepi ka pasur shumë skandale. Mirëpo, hiq më mirë s’ka qenë as ministria e Jashtme e drejtuar nga Enver Hoxhaj…

Hajredin Kuçi: Janë shumë kritere për të zgjedhur një ministër. Kriteri profesional, afiniteti politik, partiak, afiniteti i bashkëpunimit partiak me partitë tjera që janë në koalicion, me afinitetin e bashkëpunimit me strukturat ndërkombëtare që janë në Kosovë. Dhe këta janë menuar që janë njerëzit adekuat. Me propozim të kryetarit dhe me miratim të kryesisë së partisë janë emëruar. A ka njerëz më të mirë në parti, me siguri që ka dhe nuk kam asnjë dilemë. A ka njerëz që e kanë merituar më shumë, me siguri që ka. Kjo është përzgjedhja aktuale dhe nuk do të thotë që është me tapi posti i ministrit të askujt. PDK në këto dy mandate, dhe tani në të tretin, ka pasur shumë të cilët kanë qenë ministra, janë ndërruar, pastaj janë bërë kryetar komune, janë kthyer përsëri deputet… Pozitat politike dhe kontributi për partinë dhe për vendin nuk është vetëm nga një pozicion, qoftë institucional apo partiak, por sipas afiniteteve. Në momente të caktuara nxjerr njerëz të caktuar.

Gazeta Blic: Të kthehemi edhe njëherë tek çështja e zëvendësministrave. Është raportuar se do të jenë rreth 50 zëvendësministra. A nuk është shumë e madhe kjo qeveri kur kemi 21 ministra, t’i kemi edhe 50 zëvendësministra?

Hajredin Kuçi: Unë nuk e di saktë numrin e zëvendësministrave. Ajo që dua të them është se duhet të kemi numrin e mjaftueshëm që siguron efektivitetin  e ministrive. Natyrisht që ka ministri që kanë nevojë për më shumë, e ndoshta ka ministri që kanë nevojë për më pak. Sikurse që ka ministri që duhet të ketë përfaqësimin edhe politik partiak, por edhe të komuniteteve. Dhe shpeshherë këto e rrisin numrin, por efektiviteti duhet të jetë qëllimi. Unë do të thoja që numrat kanë logjikë në matematikë, në politikë kanë logjikë personazhet.

Gazeta Blic: A nuk do të mjaftonin për secilën ministri nga një ministër dhe një zëvendësministër, kur kemi parasysh se jemi shtet shumë i vogël dhe më i varfëri jo vetëm në rajon por dhe më gjerë?

Hajredin Kuçi: Ka ministër që kishte mjaftu edhe pa zëvendës. Por, ka ministri që edhe dy zëvendësministra do të jenë pak. Varësisht nga vëllimi i punëve që mund t’i ketë. Është vendim politik se sa zëvendësministra duhet të jenë dhe nuk është në kundërshtim me ligjin. Por, duhet t’i matet efektiviteti…

Është një lloj sistematizimi i militantëve

Gazeta Blic: A po i bie kjo që kemi një lloj sistematizimi i militantëve partiak dhe të të pakënaqurve në postet e zëvendësministrave?

Hajredin Kuçi: Nuk është edhe ky një kriter që përjashtohet në tërësi. Partitë politike të mëdha, në këtë rast edhe PDK edhe LDK kanë nevojë edhe për sistematizim të njerëzve, të cilët kanë pasur pozita të ndryshme, angazhime tjera. Dhe pushteti merret që në një mënyrë a tjetër t’i provoj edhe njerëzit e vetë, por nuk është ky qëllimi kryesor. Qëllimi duhet të matet me efektivitet, se sa do të jenë efektive dhe efikase ministritë në përputhje me numrin që do ta kenë. Mund të jenë një ministër dhe një zëvendësministër dhe efektiviteti nuk matet, pra efektivitetin duhet ta kemi prioritet. Që ta arrijmë efektivitetin, duhet të kemi numrin adekuat të njerëzve.

Gazeta Blic: Është një çështjë që nuk është sqaruar sa duhet në opinion. Ka të bëjë me marrëveshjen PDK- LDK. E para e vendit, Atifete Jahjaga para disa ditësh e tha se në marrëveshje nuk parashihet emri i mandatarit për president. A thuhet decidivisht në këtë marrëveshje se Hashim Thaçi do të jetë president i ardhshëm i Kosovës?

Hajredin Kuçi: Në marrëveshjen që kam qenë edhe unë në draftim, shihet shumë qartë që kandidati për president në 2016, do të jetë nga PDK-ja për president, z. Hashim Thaçi, nga LDK-ja për kryeministër z. Isa Mustafa dhe nga PDK-ja për kryetar të Kuvendit, z. Kadri Veseli. Pra, në marrëveshje janë precizuar edhe emrat edhe postet.

Gazeta Blic: Pra, atë që e ka thënë e para e vendit, Atifete Jahjaga nuk qëndron?

Hajredin Kuçi: E para vendit nuk ka qenë prezente në nënshkrimin e marrëveshjes. Me siguri ka folur për marrëveshjen fillestare. Marrëveshja fillestare, ku janë pajtuar për bashkëqeverisje, nuk ka folur për poste. Ndërsa, ndarja e posteve, parimet bazë, dhe ndarja e ministrive ka ndodhur më vonë, që e kemi hartuar bashkarisht unë dhe z. Veseli nga PDK-ja, dhe z. Lutfi Haziri e Agim Veliu nga LDK-ja. Pastaj është nënshkruar nga kryetarët e partive politike.

Gazeta Blic: Kur jemi tek marrëveshja për bashkëqeverisje. Dua të ndërlidhem tek Lista Serbe. E dijmë që ishte krijuar një problem, ku përfaqësuesit e Listës nuk ktheheshin në Kuvend, pa plotësimin e disa kushteve, të cilat edhe u publikuan nga mediet. Pasi që keni qenë pjesë e këtyre marrëveshjeve, a mund të na sqaroni çka parasheh saktësisht marrëveshja me Listën Serbe, gjegjësisht ndërmjet Hashim Thaçit, Isa Mustafës e Aleksander Jabllanoviq?

Hajredin Kuçi: Kemi negociuar për këtë marrëveshje, që është normale, të negociohet me partnerët e koalicioinit. Poashtu dua ta pranoj se për hir të tyre, është shtyrë atë natë votimi i qeverisë, sepse kemi dashur që ta kemi një qeveri shumë etnike. E dimë se Lista Serbe nuk do të sillet si përfaqësuesit paraprak të komunitetit serb, dhe për këtë nuk krijojmë iluzion. Dhe pastaj e kemi arritur një marrëveshje e cila në asnjë pikë nuk është jashtë Kushtetutës dhe ligjeve tona.

Marrëveshja me Listën Serbe në përputhje me Kushtetutën e Kosovës

Gazeta Blic: Z. Kuçi, a është Asociacioni i Komunave Serbe një prej pikave?

Hajredin Kuçi: Asociacioni i Komunave është i paraparë sikurse që është në marrëveshjen e Brukselit. Në asnjë pikë nuk është as më shumë e as më pak…

Gazeta Blic: Po çështja e zëvendësit të drejtorit të AKI-së dhe të komandantit të FSK-së?

Hajredin Kuçi: Nuk është përmendur e as nuk ka hyrë në marrëveshje. Këta janë çështje që edhe përkundër kërkesave, ka pasur kërkesa më herët, janë cështje që duhet të zgjidhen me procedura ligjore, me konkurs. Nuk janë cështje e marrëveshjeve ndërmjet partive. As ne me LDK-në nuk kemi marrëveshje për ndarjen e pozitave të tilla. Ne kemi marrëveshje vetëm për ndarjen e pozitave me emërime. Dhe cështjet tjera janë cështje e procedurave dhe nuk guxojmë t’i partizojmë ato pozita.

Gazeta Blic: Kthehemi tek zgjedhja e z. Thaçi president i vendit. Disa deputetë të LDK-së tashmë edhe publikisht kanë deklaruar që jo vetëm që nuk do ta votojnë Hashim Thaçin për president, por do të përdorin cdo mjet demokratik, që të mos lejojnë ardhjen e kryetarit të PDK-së në krye të shtetit. A mendoni që do të ketë pengesa të tilla, saqë të vij edhe deri te prishja e koalicionit?

Hajredin Kuçi: Është herët që të flitet për një çështje të tillë. Ne kemi marrëveshje të vullnetit të mirë me LDK-në dhe kjo marrëveshje është miratu nga organet respektive, qoftë të PDK-së, qoftë të LDK-së. Mund të ketë individë edhe në PDK edhe në LDK që kanë menduar ndryshe, dhe që kanë votuar në momente të caktuara ndryshe. U mbetet liderëve të partive që t’i lusin anëtarët e vetë që ta respektojnë marrëveshjen. Mund të ketë individ që do të veprojnë ndryshe, që është demokratike, por unë besoj se që në vitin 2016 do të funksionoj marrëveshja, dhe më 2018, do të jenë zgjedhjet e reja nacionale. Përndryshe, po e them, jo për kërcënim, të mos e marrë askush, por në Kushtetutë parashihet qartë, që nëse presidenti nuk zgjedhet as në herën e tretë, atëherë shkohet në zgjedhje të reja nacionale. Pra, nuk e kisha dashur që vendi të shkoj në zgjedhje të reja. unë jam i bindur që LDK-ja ka qenë serioze në marrëveshje edhe ne kemi qenë. Kur ka qenë në pyetje z. Mustafa kemi qenë të disiplinuar partiakisht, në kuptimin pozitiv, përkundër vullneteve individuale, që njerëzit mund të mendojnë ndryshe, që është normale. Por, vendimi i partivë politike, besoj që respektohet në masën e duhur për të votuar, qoftë atëherë për të votuar z. Mustafa kryeministër, qoftë kur të vij koha për të votuar Hashim Thaçin për president.

Ja si ndodhi marrëveshja me LDK-në

Gazeta Blic: I rikthehemi edhe njëherë marrëveshjes. Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së votoi pro bisedave për koalicion me PDK-në. Mirëpo, nuk shkuan as dy orë dhe u arritë marrëveshja. A ka pasur takime më herët për të arritur deri te marrëveshja? Si ndodhi ky koalicion për vetëm dy orë, ndërkohë që vendi ka qenë për më shumë se pesë muaj në krizë?

Hajredin Kuçi: Ju e dini që PDK ka qenë e matur në prononcime. Kemi qenë edhe korrekt, edhe përballë medieve edhe përballë opinionit publik. Kemi qenë korrektë edhe përballë oponentëve politik, përkundër adrenalinave të caktuara, ne prapë nuk jemi lëshuar në pozita të ulëta të kritikave të ndryshme. Poashtu dua të them se nga 9 qershori deri më 19 nëntor nuk kemi qenë pasiv. Kemi qenë gjallë, kemi punuar në kuptimin politik. Unë s’kam qenë akteri kryesor i kësaj marrëveshjeje, as i marrëveshjeve tjera, por e di që kjo marrëveshje më 19 nëntor nuk ka ardhur rastësisht.

Gazeta Blic: A ka ndodhur më herët apo më 19 nëntor?

Hajredin Kuçi: Nuk mund ta imagjinoni në Ballkan që marrëveshja në Ballkan ta arrihet brenda dy orëve. Ka pasur parapërgatitje adekuate…

Gazeta Blic: A ka ndodhur marrëveshja në Berlin?

Hajredin Kuçi: Nuk e di… Nuk kam qenë pjesë direkte për këtë marrëveshje, por dyert çelë dhe kontaktet me të gjitha partitë politike në forma të ndryshme njerëzit i kanë mbajtur…

Gazeta Blic: Themelimi i Gjykatës Speciale, pritet të jetë ndër sfidat gjatë këtij viti që sapo kemi hyrë.  Cili do të jetë veprimi i institucioneve për formimin e kësaj gjykate?

Hajredin Kuçi: Është një njollë që i ka ndodhur Kosovës miratimi i raportit të Dick Martyt. Ka qenë një miratim politik, ta quaj, dhe është dashur t’i jepet një përgjigje edhe politike edhe juridike. Pastaj Kuvendi në mandatin e kaluar e ka miratuar me konsensus një obligim ndërkombëtar. Draftet do të vijnë drejtëpërdrejtë nga Brukseli. Ato nuk do t’i hartoj askush në Kosovë, por do të vijnë. Natyrisht që ne do t’i japim inputet tona gjithsecili, edhe subjektet politike. Kjo punë nuk është vetëm e Ministrisë së Drejtësisë, i Qeverisë apo vetëm i një partie politike, por kërkon një konsensus më të gjerë.

Gazeta Blic: Barra do të bië mbi Ministrinë e Drejtësisë?

Hajredin Kuçi: Punët do të jenë të ndara. Secili do ta kryej punën e vetë. Nuk është Ministria e Drejtësisë ajo që do ta bëj. Ky do të jetë një konsensus politik, grupe të përbashkëta politike, miratimi në Kuvendin e Kosovës me 2/3 e deputetëve.

Gazeta Blic: Opozita është deklaruar se do të votoj kundër miratimit të këtyre ligjeve. Ndërkaq, nëse pos opozitës do të votojnë kundër edhe shtatë deputetë të LDK-së që s’e votuan qeverinë Mustafa si dhe 3 deputetë që u larguan nga PDK-ja, a rrezikon atëherë që koalicioni të mos i ketë numrat për këto ligje?

Hajredin Kuçi: Ky obligim i takon Kosovës, subjekteve politike, politikës së Kosovës në tërësi. Ka të bëjë me raportin e Kosovës me drejtësinë ndërkombëtare, ka të bëjë me raportin e Kosoës me imazhin e vendit dhe me obligimet që kanë kërkuar partnerët tanë: SHBA-ja dhe BE-ja. Nuk ka të bëjë me një subjekt politik dhe nuk ka të bëjë me meritën apo përgjegjësinë e dikujt. Është obligim konsensual. Edhe herën e kaluar ka pasur hezitime nga të gjithë. Dhe mendoj që edhe në takimet e vecanta por edhe të përbashkëta, që ka pasur hezitime. Janë procesverbalet, janë shënimet. Por ka qenë kërkesë decidive e partnerëve tanë për një veprim të tillë. Unë mendoj që kërkesat që do të vijnë nga partnerët tanë, do ta arrijnë konsensusin.

Gazeta Blic: Kur jemi te drejtësia. Misioni i EULEX-it u përfshi nga skandale të shumta. Si e shihni ju punën e EULEX-it, nga pozicioni i ministrit të Drejtësisë?

Hajredin Kuçi: Ne duhet ta pranojmë faktin se pritjet janë rritur përballë qytetarëve të vendit. Dhe këto pritje pastaj nuk janë përputhur me rezultatin. Njerëzit në drejtësi flasin më pak në opinion, e punojnë më shumë me evidenca e me fakte. Ne kemi arritur një marrëveshje për transicionin e EULEX-it. Ky transicion do të vazhdoj deri më 2016, pastaj do të vendosim për të ardhmen e tyre. Rastet individuale nuk duhet ta zbehin punën për EULEX-in. Por, duhet ta bindin veten se derjtësia e plotë do të vjen atëherë kur ne kemi guximin profesional, intelektual, qytetar që t’i gjykojmë cështjet vetë. Veprime  kriminale në këtë vend do të ketë edhe 200 vjet nga sot. Por, EULEX nuk do të ketë, pra ne duhet t’i ngrisim kapacitetet tona që të përballemi vetë me drejtësinë. Prokurorët tonë duhet të jenë në vijën e parë të frontit, policia jonë, gjyqtarët tanë. Të tjerët mund të na ndihmojnë me ekspertizë, por ne duhet të kryejmë obligimin.

Gazeta Blic: Pas 2016 e tërë përgjegjësia do të bije mbi prokurorët e gjyqtarët vendor…

Hajredin Kuçi: Edhe tash është përgjegjësia mbi institucionet vendore, prej 15 qershorit e tutje. Rastet e reja nuk merren edhe pa pëlqimin tonë. Ne duhet t’i rrisim kapacitetet tona, dhe t’i zvogëlojmë ato të EULEX-it. Kjo nënkupton që edhe pas shkuarjes së EULEX-it, ne duhet të ofrojmë drejtësi të përafërt me atë të vendeve të BE-së. Por, ne duhet të dalim në ballë. Vija e frontit të drejtësisë duhet të jetë nga njerëzit tanë.

Do t’ua rris pagat gjyqtarëve e prokurorëve

Gazeta Blic: Z. Kuçi, vitin e kaluar kur u rritën pagat shërbyesve civil, gjyqtarëve e prokurorëve nuk ua rriti qeveria pagat. Disa prej tyre kanë thënë se ju, si ministër i drejtësisë ju keni premtuar një rritje solide, që ka të bëjë me sigurinë në punë. Mirëpo, kjo nuk ka ndodhur. Pse?

Hajredin Kuçi: E para dua të them se kur kam marrë postin e ministrit të Drejtësisë dy cështje i ka pasur problem gjyqësori, e para mandatin e kam bërë të përhershëm dhe e dyta, e kemi barazuar pagën në nivel të ministrit. Pas vendimit në Kuvend, që për ministra dhe deputet të mos rritet paga, do të ishte shkelje ligjore nëse do të rriteshin për prokurorët e gjyqtarët. Sepse aty thotë se paga e gjyqtarit është ekuivalente me atë të ministrit, dhe kjo ka qenë pengesa. Unë kam pasur vullnet që t’u rriten pagat nga buxheti i Këshillit Gjyqësor, më është thanë edhe në takim, që kanë buxhet të mjaftueshëm për siguri, ose për të gjetur një mbështetje. Unë jam ithtar që t’ju rriten pagat, edhe në formë të sigurisë.

Gazeta Blic: Pse ndodhi atëherë kjo rritje?

Hajredin Kuçi: Nuk kishim buxhet. Unë do të bëj përpjekje maksimale, që nëse për një cent do t’i rritet paga një ministri, atëherë do t’u rritet edhe gjyqtarëve dhe prokurorëve. Kur është bërë ky ligj në vitin 2011, është menduar se është shumë i mirë, ngase ka qenë paga shumë e ulët  dhe është rritur aq sa është rritur edhe e ministrit. Dhe në 2014 u pa që rritja e atyre pagave do t’i tejkalonte ministrat. Dhe sot, pa modesti e them që pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve janë shumë më mirë se sa që kanë qenë. Por do të përpiqem në këtë mandat që në përputhje me rritjen e pagave të të tjerëve, tu rriten pagat edhe gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Rektori na i shkeli të drejtat tona me atë vendim

Gazeta Blic: Rektori i UP-së, Ramadan Zejnullahu ka marrë një vendim që gjithë profesorët që janë edhe ministra dhe mbajnë pozita të larta në qeveri t’u ndërpriten kontratat. Mirëpo ju dhe disa profesorë të tjerë e keni quajtur këtë vendim të jashtëligjshëm. Pse është i jashtëligjshëm një vendim i tillë?

Hajredin Kuçi: E para nuk dua të flas nga pozita e ministrit. Do t’i jap mbështetje të plotë punës në universitet edhe rektorit, ngase nuk është mirë që brenda gjashtë muajsh një universitet t’i ndërrohen tre rektorë. Është punë mjaft e rëndë. Poashtu do të thoja që stabiliteti i universitetit ka ndikim në tërësi në Kosovë. Dhe unë pas fëmijëve të mi e dua universitetin. Ai më ka sjellë mua në këtë pozitë ku jam sot. Arsyeja kryesore ka qenë se ne pagë të plotë ne nuk kemi marrë kurrë, honorar kemi marrë edhe më herët. Ne i kemi dhënë arsyetimet ligjore, dhe kjo ka qenë në parim me e mbrojtë të drejtën tënde, por jo që ka të bëjë me rektorin. Besoj se secili e ka parë se si është puna. Ne jemi të bindur se atë që e kemi shkruar, kemi të drejtë të plotë. Pozita që e kemi të jeni të bindur se nuk do ta shfrytëzojmë në dëm të një institucioni të pavarur.

Gazeta Blic: Pse jeni të bindur se rektori me atë vendim ju ka shkelur të drejtën?

Hajredin Kuçi: Ne kemi dhënë arsyetimin, dhe nuk dua të hy më në këtë cështje. Ne kontratën e kemi sipas ligjit, pagën nuk e kemi marrë asnjëherë të plotë, nga viti 2011, kur jam zgjedhur deputet dhe ministër. Ka qenë gjysëm page. Unë e kisha ftuar rektorin që ta verifikoj se a po e bëjmë mësimdhënien, ta verifikoj cilësinë që e oforjmë. Kudo në botë është nderë që në një fakultet të jap mësim ministri i Drejtësisë, kryetari i Gjykatës Kushtetuese, ministri i Arsimit, ish- ministri i Drejtësisë. Reagimi ynë nuk ka qenë për pagën, por për faktin se ne kemi qenë profesor të rregullt dhe ndryshimi i kontratës bëhet me procedura e jo me vendim, siç ka ndodhur.