Drejtori i ashtuquajturës Zyre për Kosovën në kuadër të Qeverisë serbe, Marko Gjuriq ka deklaruar sot se Prishtina zyrtare po refuzon të nënshkruajë marrëveshjen rreth krijimit të Asociacionit të Komunave Serbe (AKS).
“Unë duhet të them se përgjatë tre viteve të fundit të dialogut me shqiptarët, nuk kemi parë një ngurtësim të tillë të Prishtinës, përkatësisht mos interesimit për të diskutuar rreth thelbit të kësaj teme. Ata dukej se erdhën ‘sa për sy e faqe’ në takim. Kjo mund të rrumbullakësohet me vetëm dy fjalë – jo themelimit të AKS-ë. Jam i bindur se shumica dërrmuese e temave që kemi biseduar, shqiptarëve nuk iu kanë pëlqyer”, tha Gjuriq për RTS, transmeton Telegrafi.
Ai shtoi se në një moment të raundit të fundit të dialogut në Bruksel, të mbajtur të hënën, dukej se Prishtina kërkon të largohet nga takimi, por ata u kthyen dhe gjetën një justifikim për të mos e pranuar një dokument që është rënë dakord në masë të madhe.
Kur bëhet fjalë për Asociacionin e Komunave Serbe, Gjuriq ndër arritjet numëron ato: “Serbia mund të investojë drejtpërdrejtë në AKS dhe me rastin e investimeve të lirohet nga tatimet e taksat, të ketë Këshill Ekzekutiv si dhe Pleqësinë e vet në të cilin do të hyjnë të gjithë serbët me ndikim nga Kosova e Metohija”
Por për këtë dokument ka thënë se do të mund të flasë më gjerësisht pasi ai të nënshkruhet.
Gjuriq ka shtuar se Prishtina nuk pranon marrëveshjen, thonë se dëshirojnë disa të drejta për serbë, pëor kur vjen puna del se nuk është ashtu, citon RTS Gjuriqin.
Për telekomunikacionin Gjuriq u shpreh i kënaqur me marrëveshjen. Sipas tij Kosova do të jetë shfrytëzues i kodit gjeografik të Serbisë, ndërsa Telekomi i Serbisë do të marrë licencën e plotë për telefoninë fikse e mobile. Po ashtu nuk do të ketë tarifa ndërkombëtare dhe nuk do të ketë përzgjedhje numri të veçantë thirrës për Kosovën, ndërsa për Kosovën (siç e quan ky Krahinën Jugore) është siguruar spektri i veçantë digjital. /Telegrafi/






