Home Aktuale EKSKLUZIVE/ INCIDENTI NË KUMANOVË: Ju flet për “Aktuale”, Sulejman Rexhepi

EKSKLUZIVE/ INCIDENTI NË KUMANOVË: Ju flet për “Aktuale”, Sulejman Rexhepi

960
0
SHARE

Në një deklaratë ekskluzive për Aktuale.mk, kryetari i BFI-së Sulejman Rexhepi ka komentuar incidentin e sotëm në Kumanovë. Rexhepi ka thënë se si institucion çdo herë kanë qenë kundër individëve apo grupeve të armatosura.

“Shteti i di se kush mund të jenë dhe mund t’i kapë një nga një, pa kurrfarë trysnie mbi situatën e përgjithshme. Nuk guxojmë që të bëhemi pre e skenaristëve dashakëqij. Politikanët tanë gjenden para një sprove shumë të madhe: duhet t’i lënë manash të gjitha interesat, të gjitha kapriciet e mosmarrëveshjet dhe të bëhen një në qetësimin e situatës, në përpjekjet për ta qetësuar dhe për ta shpëtuar popullatën tone”, ka thënë Rexhepi në njërën nga pyetjet e Aktuale.mk, në intervistën që do e botojmë të plotë gjatë ditës së nesërme, po dhe rreth zhvillimeve të fundit në oborrin e BFI-së.

Sot në Kumanovë po ndodhë “luftë”? Përleshje të armatosura në lagjet që janë të banuar ekskluzivisht me shqiptarë. Keni informata se çka po ndodhë?

Fatkeqësisht, deri në këtë moment jemi të privuar nga informatat burimore dhe të paanshme. Spekulime plot! Situatë jo shumë e mirë. E dënueshme! Apeloj deri te Institucionet shtetërore që të kenë kujdes me përdorimin e armatimit dhe sa më të kujdesshëm të jenë me qytetarët e rëndomtë. Janë nën një rrethim të tmerrshëm, këtë nuk e bën as okupatori klasik! Aty ka gra, pleq, fëmijë, që të gjithë qysh në orët e hershme të mëngjesit janë të rrethuar. Po a kanë nevojë për bukë, për ilaçe? Po ata fëmijë a kanë nevojë për qumësht? Kush atje kërkon “terroristë” edhe në mesin e grave, pleqve e foshnjave? Kur është në pyetje shkelja e shqiptarëve çuditërisht justifikohen të gjitha metodat dhe të gjitha mjetet. Apeloj deri te faktori ndërkombëtar që të ndërhyjë dhe të mos lejojë shkaktimin e ndonjë katastrofe humanitare. Çdo njëri nga “banditët” mund të zihet veç e veç, dhe jo të pritet dhe të përdoret aksioni frontal: “fshi ç’të gjeshë”! Me këtë luftë nuk demonstrohet kujdesi për rend dhe siguri por, demonstrohet urrejtja institucionale kundër shqiptarëve dhe, përgjithësisht, kundër myslimanëve. Si Institucion çdo herë kemi qenë kundër individëve apo grupeve të armatosura. Shteti i di se kush mund të jenë dhe mund t’i kapë një nga një, pa kurrfarë trysnie mbi situatën e përgjithshme. Po spekulohet se ka të vrarë e shumë të plagosur në të dy palët. Kujt i duhen këto aventura? Pse kjo bindje e djallëzuar mbi jetën e njeriut si mbi një leckë të pavlerë?! Politikanët tanë gjenden para një sprove shumë të madhe: duhet t’i lënë manash të gjitha interesat, të gjitha kapriciet e mosmarrëveshjet dhe të bëhen një në qetësimin e situatës, në përpjekjet për ta qetësuar dhe për ta shpëtuar popullatën tonë. Nuk guxojmë që të bëhemi pre e skenaristëve dashakëqij. E lus Zotin Fuqiplotë që nga kjo situatë të dalim me sa më pak viktima dhe të keqtrajtuar. Zoti e ndihmoftë popullin tim dhe i dhëntë mend atyreve që kanë ngelur pa to. Amin!