Kreu i Federatës Shqiptar të Futbollit, Armadn Duka ka uruar Kosovën për pranimin në UEFA.
Kosova pranohet anëtare me të drejta të plota në organizmin më të rëndësishëm të futbollit Evropian. Në Kongresin e 40-të UEFA, që zhvilloi punimet sot në Budapest, një nga pikat më të rëndësishme të rendit të ditës ishte edhe shqyrtimi i kërkesës së Federatës së Futbollit të Kosovës për të qenë anëtare me të drejta të plota në këtë forum.
Kosova arriti të fitojë duke marrë 28 vota dhe të shpallet anëtarja e 55 e UEFA-s, transmeton Koha.net.
Menjëherë pas vendimit për pranimin e Kosovës në UEFA, Presidenti Armand Duka dhe delegacioni shqiptar kanë uruar Kryetarin e FFK Fadil Vokrri dhe delegacionin kosovar.
“Jam shumë i lumtur në këtë ditë, që do ta konsideroja historike jo vetëm për futbollit kosovar por edhe për historinë e Republikës së Kosovës. Tashmë Kosova, do të ketë mundësinë që të jetë pjesë zyrtare e familjes së madhe të futbollit. Në këtë mënyrë janë realizuar përpjekjet disavjeçare të FFK dhe drejtuesve të saj. E urova me shumë emocion presidentin Vokrri duke i konfirmuar marrëdhëniet vëllazërore, që ekzistojnë mes dy institucioneve tona. Ndjehem krenar për këtë vendim, për arritjen e të cilit edhe ne kemi kontribuar duke bashkëpunuar ngushtë me vëllezërit tanë të institucionit të futbollit kosovar. Për futbollin në këtë vend, tashmë do të hapen perspektiva të reja dhe ai do të njohë zhvillime të mëdha, të cilat na kënaqin pa masë”, ka thënë Duka, bën të ditur FSHF përmes faqes zyrtare.
Më pas Duka, e ka vlerësuar vendimin edhe për kontributin që ai do të japë edhe për njohjen e Kosovës në botë.
“Pranimi i Kosovës, si anëtare me të drejta të plota në UEFA, do të krijojë një impakt akoma më pozitiv për vazhdimin e procesit të njohjes së saj në arenën ndërkombëtare. Ky është një moment historik, që duhet vlerësuar shumë edhe në këtë pikëpamje”, ka thënë Duka.






