Sekretari amerikan i Shtetit, State John Kerry ka thënë të dielën se lideri i talebanëve, Mullah Akhtar Mansour, ka qenë “kërcënim i vazhdueshëm” për personelin amerikan në Afganistan por edhe për vetë afganët, si dhe ka qenë kërcënim për paqen.
Zyrtarë shtetërorë në Washington kanë thënë të shtunën se një sulm raketor me dronë ka sulmuar Mansourin dhe sipas të gjitha gjasave ka vrarë atë në jugperëndim të Pakistanit, afër kufirit afgan, sulm ky i autorizuar nga presidenti amerikan, Barack Obama, raporton Reuters.
“Dje, SHBA-të kanë kryer një sulm preciz ajror që kishte për cak liderin taleban, Mullah Mansour në një zonë të largët në kufirin Afganistan-Pakistan. Mansour përbënte kërcënim të vazhdueshëm e të pashmangshëm ndaj personelit amerikan dhe afganëve”, ka thënë Kerry gjatë një konference për media në kryeqytetin Myanmar, transmeton Koha.net.
“Ky veprim dërgon një mesazh të qartë në botë se ne do të vazhdojmë të jemi prapa partnerëve tanë afganë derisa ta punojnë në ndërtimin e një Afganistani më stabil, më të bashkuar, më të sigurt e më të suksesshëm”.
Kerry tha se të dy liderët, ai i Pakistanit dhe i Afganistanit, kanë qenë të njoftuar për sulmin ajror por nuk ka pranuar të jap sqarime shtesë rreth këtij njoftimi.






