Home OPIONIONE Drejtësia është bindje e çliruar nga emocionet

Drejtësia është bindje e çliruar nga emocionet

797
0
SHARE

“Drejtësia është bindje e çliruar nga emocionet”

Shkruan: Shaip Kamberi

“Bisedat informative” janë një armë e vazhdueshme të cilën institucionet serbe e përdorin ndaj shqiptarëve, kurdoherë që mendojnë se duhet nxitur apo përdorur situatën në raste konkrete.

Bisedat informativë të të enjtës nuk janë të vetmet, shumë shqipatrë të tjerë, edhe për çështje banale po ftohen në biseda informative, dhe kjo metodë e komunikimit me të rinjtë shqiptarë është bërë shprehi e policisë së Serbisë ndaj shqiptarëve.

Natyrisht se asnjë mendje e kthjellët nuk mund të solidarizohet me parullat për dhunë dhe duhet ta kemi qartë këtë. Sidomos kjo i shkon më së paku për shtati shqiptarëve të Luginës së Preshevës që janë më të diskriminuarit në Ballkan.

Por, kjo që ka ndodhur në Bujanoc, me një grup tifozësh të ekzaltuar nga fitorja, nuk paraqet kurrfarë risie dhe vetëm është një imitim i keq i asaj që po ndodh me vite të tëra nëpër stadiumet dhe sheshet në mbarë Serbinë.

Nuk është fshehtësi se distance etnike e popullit shumicë në Serbi është më e madhja ndaj përfaqësuesve të pakicave e në këtë mes, në vendin e parë gjenden shqiptarët. Ata janë më të padëshirueshmit për shumicën serbe.

Rastet e shprehjes së hapur të urrejtjes antishqiptare janë të çdoditshme, më drastikja ishe kur në ndeshjen futbollistike të tetorit të kaluar, Serbi – Shqipëri, mbi 30 mijë shikues, në kor, edhe atë në prezencën e presidentit të Serbisë, brohoritnin parulla me ftesë për vrasjen dhe therjen e shqiptarëve, apo edhe vetë deklarata e presidentit serb sipas të cilit shqiptarët konsideron “popull abnormal”.

Gati për çdo ditë nëpër tablloidet beogradase gjen tekste që nxisin urrejtjen antishqiptare apo krijojnë stereotipe për shqiptarët.

Sa prej tyre janë procesuar?

Prandaj, aksioni i të enjtes së 15 tetorit, në të cilin disa të rinjë shqiptarë u morën në bisedë informative, në mesin e tyre edhe gazetarë, vetëm se forcon bindjen te shqiptarët se shteti tregon “efikasitetin maksimal” kur duhet frikësuar apo dënuar shqiptarët, ndërkohë që nuk ndërmerr asnjë veprim apo aksion me të cilin do të afirmonte të drejtat e shqiptarëve.

Drejtësia selektive nuk mund të sjellë mirë askujt e as atij që e aplikon.

“Drejtësia është bindje e çliruar nga emocionet” thotë një fjalë e vjetër.

Ndërkohë që emocionet e zyrtarëve serb, sa herë janë në pytje shqiptarët, ekzaltohen më tepër se ato të turmës brohoritëse në Bujanoc.

(Autori është deputet popullor në parlamentin  republikan   të Serbisë. Qëndrimi i  këtij  teksti nuk paraqet politikën redaktuese të portalit Lugina Press.)