Home Aktuale Disa refugjatë nga Idomeni kthehen prapa për shkak të kushteve të këqija

Disa refugjatë nga Idomeni kthehen prapa për shkak të kushteve të këqija

826
0
SHARE

Pas incidentit të djeshëm numri i forcave ushtarake vazhdon të rritet, ndërkohë nga ana greke disa turma refugjatësh tashmë kanë filluar të braktisin kampin e refugjatëve në Idomeni.

Maqedonia vazhdon të kufizojë numrin e refugjatëve të cilët përdorin territorin e Maqedonisë për të kaluar në vendet e Evropës Perëndimore, ndërsa nga ana greke, në venkalimin kufitar Idomeni, momentalisht qëndrojnë rreth 9 mijë refugjatë në kushte të vështira themelore të jetesës, mes të cilëve ka edhe prej atyre që me dhjetëra ditë presin për të kaluar në territorin e Maqedonisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Pas incidentit të djeshëm, ku policia maqedonase përdori gaz lotsjellës për të parandaluar refugjatët të cilët tentuan të hynë në vend, numri i forcave ushtarake vazhdon të rritet, ndërkohë nga ana greke disa turma refugjatësh tashmë kanë filluar të braktisin kampin e refugjatëve në Idomeni drejt kampeve të reja të ndërtuara në afërsi, për arsye të kushteve të mjerueshme për jetesë.

“Jemi këtu nga dita e djeshme dhe duam të kalojmë kufirin, pasi që në Greqi ndodhemi tashmë mbi një javë. Jemi të tronditur nga kushtet në kamp. Nuk ka as kushte themelore për jetesë, nuk kemi as vende për gjumë. Kushtet janë shumë të këqija, ka njerëz që presin mbi dhjetë ditë për të kaluar kufirin. Ne vendosëm të kthehemi në kampin tjetër dhe do të qëndrojmë atje deri sa kufiri të hapet”, tha Isa nga Siria.

Kampi për pritje të refugjatëve në Idomeni është i mbushur përplot, ndërkohë që autobusë të rinj me refugjatë arrin në çdo kohë. Policia greke mundohet që t’i largojë refugjatët sa më larg pikës kufitare, për shkak të mos eskalimit të situatës në gardhin e vendosur nga ana maqedonase.

Menjëherë në anën maqedonase të pikës kufitare greko-maqedonase ndodhen edhe 40 pakistanezë dhe afganë të cilët janë kthyer nga Tabanoci, për shkak të mos posedimit të dokumenteve të nevojshme, ndërsa jashtë kampit për pritje të refugjatëve në Gjevgjeli ndodhen edhe rreth 120 refugjatë nga Iraku të cilët poashtu janë kthyer nga Tabanoci, për shkak se në Serbi kanë kaluar përmes Bullgarisë.

“Kjo është dita e katërt që qëndrojnë në pritje dhe vazhdimisht ne jemi duke negociuar me policinë për të gjetur një zgjidhje. Ata janë kthyer nga Tabanoci për shkak se kanë kaluar kufirin nga Bullgaria në Serbi. Të gjithë janë refugjatë nga Iraku. Presim që të merret një vendim për ata”, tha Haidar Fahad, përfaqësues i UNHCR-së në kufirin jugor të Maqedonisë.

Treni i fundit ka transportuar refugjatë nga kufiri jugor i Maqedonisë për në Tabanoc mëngjesin e ditës së djeshme, edhe atë vetëm 495 refugjatë, ndërsa momentalisht në qendrën për pritje në Gjevgjeli ndodhen rreth 30 refugjatë.