Home Aktuale A “ka llogari” mërgimtarët të shkojnë në shtëpi për pushime?

A “ka llogari” mërgimtarët të shkojnë në shtëpi për pushime?

269
0
SHARE

Të gjithë ankohen se rruga për në Kosovë është e vështirë dhe e shtrenjtë. Megjithatë, të gjithë do t`ia mësyjnë kësaj rruge edhe këtë verë. Albinfo.ch është interesuar të dijë më shumë për rrugët që marrin bashkatdhetarët tanë, kur nisen për pushime në atdhe.

Sezoni i verës, ai i pushimeve ka ardhur ndërsa xhepat e diasporës tashmë kanë filluar të zbrazen. Që të shkosh në pushim në vendlindje nuk është edhe e lehtë, këtë më së miri e dinë vetë mërgimtarët. E kur vjen koha e pushimit, ata detyrohen që së bashku me familje, të durojnë për plot 18 orë të ulur në automobil, madje kjo di të zgjatet edhe deri në 24 orë. Rrugë e gjatë dhe e mundimshme të cilën pritjet e gjata në kufi e bëjnë edhe më të lodhshme.

Mërgimtarët, për të shkuar në vendlindje dhe anasjelltas mund të zgjedhin. Përveç veturës, ata mund të shkojnë me aeroplan, apo edhe me autobus.

Albinfo është interesuar të dijë më shumë për të gjitha këto rrugë që marrin bashkatdhetarët tanë, kur nisen për pushime në atdhe. Që të fluturojë me aeroplan për në vendlindje në sezonin e verës, një mërgimtar nga Zvicra duhet “të shtrëngohet” mirë dhe të llogarisë hiq më pak se rreth 700 franga për një person. Nëse është i vetëm atëherë është me fat, por nëse është i martuar dhe ka një apo dy fëmijë, duhet të llogarisë diku 2000 deri në 3000 franga vetëm për bileta fluturimi.

Me aeroplan “nuk ka hesap”: kushton sa pansioni javor në hotelet luksoze

Bujar Zajmi, një qytetar nga Gjilani, i cili jeton në Horgen të Cyrihut, bëhet gati për udhëtim me veturë. Ai thotë se “nuk ka hesap me shku me aeroplan për në Kosovë sepse biletat janë shumë të shtrenjta. Bujari është vetë i katërti dhe në vend që t`i japë afër 3000 franga për fluturim me aeroplan, thotë se me vetëm 500 deri 600 franga, më mirë shkon me veturë.

Ai bile thotë se me paratë e biletave të fluturimit për Kosovë mund të bëjë një pushim luksi në Turqi, Spanjë apo Itali, në hotelet më të mira.

“Po, shumë e vërtetë. Kemi bërë krahasime se sa do të na kushtojë një biletë për në Kosovë dhe sa do të na kushtonte një pushim diku në bregdet të Turqisë, Spanjës apo të Italisë. Mendoj se nëse autoritetet e Kosovës nuk ndërmarrin së shpejti diçka kundër çmimeve të pakontrolluara të biletave, paraja e mërgatës do të orientohet pa dashje dika tjetër. Madje, mund të them lirisht se kjo tashmë ka filluar të ndodhë. Nëse një biletë në pushime të verës do të më kushtojë 500-600 sfr. e që me atë shumë të parave mund ta kaloj një pushim të mirë me pansion të plotë në një hotel luksoz, atëherë ndoshta duhet të vendos për të dytën. E atëherë mbetet që “pushimet në Kosovë” me të afërmit t`i bëjmë përmes viberit apo skype-s” u shpreh Bujari.

Përveç ankesës për bileta me çmime shumë të larta, Bujari shprehet i pakënaqur edhe me sigurimin që duhet ta bëjë në kufi të Kosovës.

Pagesa e sigurimit në kufi, një mesele në vete

“Pushimet në Kosovë na kushtojnë shumë. Mundem me thënë se gati kursimet e një gjysmë viti shkojnë për një pushim dy javësh në Kosovë! Nëse shtrohet pyetja se ku shkojnë ato, përgjigja është e thjeshtë: një regjistrim i veturës për vozitje dy-javore në Kosovë apo edhe dy pushime dyjavëshe, ne na kushtojnë njësoj sikurse një vendas që e regjistron veturën për tërë vitin. Dua të them se i bie që në emrin e regjistrimit të veturës, për katër javë të shpenzosh aq sa shpenzojnë qytetarët rezidentë të Kosovës për 52 javë. Me fjalë tjera, 48 javë ne na shkojnë huq”, thotë Bujar Zajmi.

Edhe Bajrush Salihu ka vendosur që të udhëtojë me automobil për në vendlindje. Shkaku kryesor që ai merr një udhëtim kaq të gjatë është çmimi i lartë i biletave të fluturimit.

“Mua, vetëm jashtë pushimeve sezonale më ndodh të shkoj në Kosovë me aeroplan. Ndryshe, në sezon është e papërballueshme për mua që të paguaj një biletë 600-700 franga” thotë Salihu i cili kishte marrë dy javë pushim për t`i kaluar pranë familjes së tij në Prizren.

Duke folur në lidhje me çmimet e biletave për në Kosovë, Kompania e fluturimeve “Airprishtina” thotë se ato nuk dallojnë nga çmimet në vendet e rajonit.

“Aiprishtina”: Çmimet e biletave tona nuk ndryshojnë nga ato në rajon

“Airprishtina është kompani që bashkëpunon me aviokompanitë më të sigurta e më të njohura, dhe siguria për udhëtarët gjatë fluturimit është qëllimi i ynë. Ndërsa çmimet e biletave janë të njëjta me ato në vendet e rajonit” thuhet në deklaratën e kësaj kompanie për albinfo.ch.

Një mundësi tjetër për të shkuar në vendlindje është udhëtimi me autobus. Çmimi është i ulët dhe i kapshëm. Një biletë kthyese për të rritur kushton 250 franga kurse për fëmijë ky çmim bie për 100 franga më lirë.

Kompania që merret me udhëtime me autobusë, “Mimoza `93” thotë se tash, në sezonin e verës, është shtuar interesimi për udhëtim me autobusë dhe për këtë arsye shtohet edhe numri i udhëtimeve brenda javës.

“Ne udhëtojmë për çdo të martë, të premte dh të shtune për në vendlindje. E kemi rritur numrin e autobusëve që udhëtojnë, për shkak të fluksit dhe interesimit më të madh të qytetarëve që të udhëtojnë me autobusë. Çmimi nuk është i lartë, dhe zakonisht udhëtojnë të rritur mirëpo në sezone udhëtojnë edhe familje që kanë fëmijë.”

Udhëtimi me autobus, më i lirë por i vështirë

Ahmet Sejdiu nga Freiburgu planifikon që verës të shkojë në Kosovë me autobus. Ai thotë se shpesh shkon me autobus dhe se kalon mirë gjatë gjithë rrugës.

“Zakonisht kam shkuar vetë me autobus, dhe edhe kësaj radhe do të shkoj ashtu sepse gruaja dhe fëmijët shkojnë më herët kurse mua më duhet të punoj dy javë më shumë. Është mirë me autobus, rruga pak e gjatë, por kur je vetëm, nuk është vështirë” thotë Sejdiu.

Përveç këtyre, shumë bashkatdhetarë të tjerë, për të shkuar në vendlindje marrin edhe rrugë tjera. Ndokush për shkak të dokumentacionit të nevojshëm për të kaluar nëpër Serbi i cili i mungon, e ndokush që t`i dalë më lirë për xhepin e tij.

Që të kalosh përmes Serbisë deri në Kosovë të duhet letërnjoftimi I Kosovës. E për këtë, Ambasada e Kosovës në Zvicër tha për albinfo.ch se është rritur numri i atyre që kërkojnë letërnjoftime të Kosovës.Visar Kryeziu

Nëse nuk ndërmirret diçka, paraja e mërgatës nuk do të derdhet më në Kosovë!

“Kemi bërë krahasime se sa do të na kushtojë një biletë për në Kosovë dhe sa do të na kushtonte një pushim diku në bregdet të Turqisë, Spanjës apo të Italisë. Mendoj se nëse autoritetet e Kosovës nuk ndërmarrin së shpejti diçka kundër çmimeve të pakontrolluara të biletave, paraja e mërgatës do të orientohet pa dashje dika tjetër. Madje, mund të them lirisht se kjo tashmë ka filluar të ndodhë”. /albinfo/LuginaPress

LEAVE A REPLY