“Ekspozita pa kufi” bëri bashkë 24 artistë nga Tirana, Prishtina, Tetova, Rahovica, Medvegja, Mitrovica, Podujeva, Gjakova… për pesë ditë në luginën e Preshevës
Nëpër Preshevë dhe Bujanovc*
Kujtim Buza
Njëzetekatër artistë të penelit nga Tirana, Prishtina, Tetova, Rahovica, Medvegja, Mitrovica, Podujeva, Gjakova, me kaseta dhe telajo në krah, ju shtuan për pesë ditë banorëve të luginës madhështore të Preshevës që shtrihet në luginoren meridionale të Moravë – Vardarit. Të ftuar nga “Galeria Qahili” në Edicionin e Parë të kolonisë artistike në Luginën e Preshevës (18 gusht 2014 – 22 gusht 2014), në patronazhin e Ministrisë së Diasporës së Kosovës, artistët shqiptarë, të prekur nga natyra magjepsëse dhe njerëzit patriotë dhe fisnikë të Kosovës Lindore, realizuan mbi 50 punime, të cilat i ekspozuan ditën e fundit në mjediset historike të shkollës së parë në Preshevë me emrin “Letafeti”. Merrnin pjesë me këtë rast të ftuar dhe shumë të tjerë, aktivistë dhe intelektualë nga Lugina, njerëz të zakonshëm, studiues si Xhemaledin Salihu – kryetar i Shoqatës për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore në Preshevë, arsimtarë, studentë dhe nxënës shkollash, të rinj dhe të moshuar. Shumë vizitorë të gëzuar për realizimin e këtij tubimi mbarëkombëtar. Ekspozitën e nderoi edhe ministri i Diasporës së Republikës së Kosovës, Ibrahim Makolli, i cili pasi vlerësoi punimet e ekspozuara, përshëndeti popullin e kësaj ane të Kosovës Lindore dhe veçanërisht ata që punojnë në diasporë, bij të kësaj treve. Merrnin pjesë edhe deputetët në Kuvendin e Serbisë, Riza Halimi dhe Shaip Kamberi, presidenti për shtyp në Pallatin e Kombeve në Gjenevë, Nefail Maliqi etj. Ekspozita titulluar ‘Pa Kufi’ është një ngjarje shumë e rëndësishme në jetën krijuese dhe artistike të piktorëve. Për herë të parë, një grup i zgjedhur krijuesish pikturon Rahovicën, Vrbanin, Prronë e Moravës, Llucanin, Nesacen – fshat i këngëtares së njohur Alma Bektashi, Cermen e thatë të Preshevës, Pazarin, Qytetet e ripërtërirë të Preshevës dhe Bujanovcit. Mjedisi i bukur, i pastër dhe plot gjelbërim e lule i Hotel Rozafës në Bujanovc, me pronar Bejadin Asanin, ku qëndruam, u kthye në atelie në natyrë ku u realizuan portrete prekës dhe emocionues nga Buroni, Sefedini, Sadiku, Abdullai etj. Ekspozita u hap me një film dokumentar realizuar në këto ditë nga artisti i ri Mumin Jashari, producent i RTK, i cili ndoqi me shumë përkushtim punën intensive krijuese të artistëve duke zbuluar anë shumë domethënëse dhe artistike. Natyrë – Plenër – Njerëz – Artistë, intervista dhe konkluzione. Në ekspozitë dalloheshin punimet e vajzave piktore, të freskëta, plot variacione dhe tingëllim të vërtetë artistik. Leoneta Abdyli paraqitej me dy peizazhe të ngjeshur në kolorit, me një gjendje dhe shpërthim të vërtetë. Ndërsa Fitore Fejzullahu pikturon me penelata të shlirta, në intonacione lirike. Lindita Beqiri kalon në raporte abstrakte që kërkojnë të shprehin lëvizje dhe dinamizëm. Piktorja Bardha Buza (Ferizi) është një piktore që përdor raporte të thella piktorike, ngjyrash jeshile dhe të kuqërremta mbi të errët, duke zbuluar motive prekëse. Profesori i Akademisë së Arteve të Prishtinës, Esat Valla, është shquar gjithmonë për gjetjet figurative simbolike, plot kuptim. “Dera me nr.7” shpreh intimitet ndërsa “Palloi” mbetet zog i bukur në siluetë dhe ngjyrë. Piktori Nehat Beqiri është artisti tetovar që kapërcen përmes akorde njollash harmonike dekorative në detaje nga realiteti. Ai është një piktor me diapazon të gjerë artistik, pedagog në Akademinë e Arteve të Tetovës që është në kërkime të reja. Profesori Sabedin Etemi me të birin Altin Etemi shquheshin për freskinë koloristike dhe gjerësinë e penelit. Ndërsa Flutra Aliu zbulon motivin e saj përmes dritares së gjerë e plot hapësirë. Piktori Musa Kalaveshi, dalluar edhe në Koloni të tjera në Durrës, Vlorë etj., është piktor i suksesshëm në rrokjen e natyrës, me penelata pastore dhe material. Edhe Mentor Avdyli është një piktor i ri që e ka për zemër dritën, ajrin dhe perspektivën, plane të vendosur me njohuri dhe shije artistike. Piktori Arben Shala kompozon ndryshe, këndshëm dhe origjinal. Piktori dhe skulptori, vizatuesi i mrekullueshëm Veli Blakçori, bëri 4-5 punime në vaj dhe plot skica dhe vizatime. Ai mbetet një artist me diapazon të gjerë, me vlera të veçanta artistike, të urta, pa shumë fjalë por me vepra. Piktori Eshref Qahili, me grinë e tij vendosur me elegancë shpreh një gjendje të veçantë, elokuente dhe prekëse. Grupi i piktorëve nga Tirana, me B. Kacelin, M. Arapin, S. Kasen, S. Stafën, A. Gjongecajn dhe K. Buzën i dhanë ekspozitës një frymëmarrje dhe gjallëri, falë eksperiencës dhe punës shumëvjeçare në kontakt me natyrën, falë edhe talentit, por edhe shkollës që ka synuar suksesshëm punën direkte në natyrë. Duke shprehur edhe kënaqësinë e kolegëve, ne falënderojmë popullin e Luginës së bukur të Preshevës për mikpritjen, fjalët e mira dhe inkurajuese, gjithçka shprehur vëllazërisht e plot fisnikëri. Unë falënderoj dy vajzat e vogla preshevare që më shoqëruan deri majë shkëmbit për të pikturuar matanë Çezmën e Thatë. Dhe veçanërisht për këshillat që të kem me vete numrin e telefonit të urgjencës, pasi punokam në diell, se jam gjysh dhe duhet të kem shumë kujdes. Të më falin që nuk u ktheva pas pune të pi kafe në shtëpinë e tyre dhe të takoj prindërit. Ju bëj të fala nga Tirana. Ju dua shumë. U kthyem nga Lugina e Preshevës dhe Bujanocit të lumtur për njerëzit që takuam, për natyrën që pamë, për veprat që bëmë. Për Ekspozitën që quajtëm “Një tufë lule për Luginën”, “Ekspozita pa kufi”. Në fund, drejtori i galerisë “Qahili”, zj. Nita Qahili shpërndau mirënjohje dhe shenja simbolike. Në Preshevë u hodh ideja e krijimit të shoqatës mbarëkombëtare të artit pamor, me një grup përfaqësuesish dhe kryetar z. Buron Kalceli.
Preshevë, 23 gusht 2014





