“Shtegtarët e Lirë” të përbërë nga Nazim Ajdini, Jahi Mustafa, Xhevdet Shabani dhe Liridon Basha janë kthyer sot në Gjilan nga Brukseli, pas ecjes në këmbë që nga 30 prilli e deri më 17 korrik 2014, me simbolikën për liberalizimin e vizave për Kosovën.
Shtegtarët i ka pritur kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, nënkryetari Rexhep Kadriu dhe qytetarë të shumtë të mbledhur para Teatrit të Qytetit.
Me këtë rast, kryetari Haziri ecjen prej 5 milionë hapash Gjilan-Bruksel të “Shtegtarëve të lirë” e ka quajtur ecje epike, duke vlerësuar këtë si hap të madh drejt liberalizimit të vizave.
“Kjo ecje epike që e kanë quajtur mediat kosovare dhe ato ndërkombëtare, është e pashembullt sepse kjo ecje bëhet për një liri, një të drejtë dhe një barazi që qytetarët e Kosovës sot nuk e kanë”, tha Haziri.
I pari i gjilanasve theksoi se ky grup i shtegtarëve së bashku me Xherdan Shaqirin kanë qenë emblemë e Gjilanit për këta muaj.
Haziri ka thënë se migrimi ilegal është armiku kryesor i Kosovës dhe se me këtë shtegtarët treguan se nuk e shohin Evropën vetëm si punëtori por e shohin si mundësi dhe si barazi për të gjithë.
Në emër të grupit “Shtegtarët e lirë” foli Jahi Mustafa, i cili tha se kanë marrë mbështetje nga Brukseli që shumë shpejt do të bëhet liberalizimi i vizave për kosovarët.
“Pikërisht nga këtu morëm mesazhin tuaj për ta dërguar në selinë e Bashkimit Evropian që të kërkojmë lirinë e lëvizjes për qytetarët e Kosovës. Ne morëm mbështetje të fortë nga Brukseli që liberalizimi do të ndodhë shumë shpejt. Pikërisht nga atje iu kemi sjellë një mesazh që t’i themi ‘Jo’ migrimit ilegal, por ta presim liberalizimin e vizave dhe të udhëtojmë lirshëm si të gjithë qytetarët e Evropës”, tha Jahi Mustafa.
Shtegtarët janë pritur edhe në selinë e NATO-snë Bruksel nga Jamie Shea.
Ndryshe, udhëtimi i “Shtegtarëve të lirë” është mbështetur financiarisht nga Komuna e Gjilanit, Ministria e Diasporës dhe ajo e Kulturës.






