Në Novi Pazar, në vendbanimin turistik “Ras“, Kryetari i komunës së Bujanocit Nagip Arifi sot ka nënshkruar kontratën për donacionin në vlerë prej 1.2 milionë euro nga ana e Programit Evropian “EU Progres 2”, për ndërtimin e objektit të shkollimit universitar.
Kryetari I Bujanocit Arifi këtë ditë e e ka cilësuar të madhe për komunën e Bujanocit.
Progresi Evropian është program i më shumë donatorëve për të përkrahur zhvillimin e 34 komunave në jug-perëndim dhe jug-lindje të Serbisë, në mesin e të cilave bënë pjesë edhe komuna e Bujanocit.
Unioni Evropian këtë program e financon me 12.6 milionë euro, qeveria e Zvicrës me 4.86 milionë, derisa ajo e Serbisë përmes ministrive përkatëse me rreth 4 milionë euro.
Në këtë drejtim, Unioni Evropian ka siguruar edhe 7 milionë shtesë kurse qeveria e Serbisë 1 milion, edhe atë për pjesën e programit i cili financohet në mënyrë direkte nga ministria e financave.
Programin i cili zgjat tre vjet e gjysëm dhe që ka për qëllim zhvillimin e qëndrueshëm rajonal, zhvillimin e infrastrukturës, politikën e punësimit, etj, e implementon Zyra e Kombeve të Bashkuara për shërbime të projekteve UNOPS.
Pushteti lokal i Bujanocit i dalë nga zgjedhjet e fundit lokale ndërtimin e godinës së shkollimit universitar e kishte në listën e projekteve prioritare.
Donacioni në vlerë prej 1.2 milionë euro është edhe produkt i politikës efikase menaxhuese të udhëhequr nga kryetari Nagip Arifi, i bazuar në saje të përcaktimit të nevojave të cilat janë domosdoshmëri e kohës, e në këtë kontest, investimi për qëllimet e arsimit, natyrisht se zë vendin e merituar në agjendat e të parit të komunës sonë./Lugina Press/






