Kampionati Botëror që po mbahet në Brazil është shumë i rëndësishëm gati për të gjithë futbollistët shqiptarë, që po marrin pjesë me shtete tjera.
Në Brazil aktualisht gjenden shtatë lojtarë shqiptarë: Xherdan Shaqiri, Granit Xhaka, Valon Behrami, Blerim Xhemaili, Admir Mehmedi, Adnan Januzaj e Shkodran Mustafi. Përveç Mehmedit e Januzajt – që nuk pritet të lëvizin nga Freiburgu përkatësisht Manchester United – të gjithë të tjerët mund t’i ndërrojnë klubet.
Futbollistët si: Shaqiri, Xhaka, Behrami, Xhemaili e Mustafi kanë shkuar në Brazil pa e qartësuar të ardhmen me klubet e tyre përkatëse. Një gjë të tillë e kanë lënë ta bëjnë pas përfundimit të Botërorit. Andaj, paraqitjet e tyre në Brazil mund të luajnë rrol shumë të rëndësishëm rreth së ardhmes së tyre.
Për Shaqirin dihet pas Botërorit
Kontrata e Xherdan Shaqirit me Bayern Munchenit skadon në qershor të vitit 2016. Mirëpo, ndarja mes futbollistit shqiptar dhe klubit gjerman mund të ndodhë shumë më herët.
E ardhmja e futbollistit nga Gjilani është në pikëpyetje të madhe për shkak se as në edicionin e fundit nuk gjeti hapësirë të mjaftueshme për të luajtur në skuadrën e baravarezëve.
Kjo ka bërë që zërat rreth largimit të tij nga “Allianz Arena” të qarkullojnë në masë të madhe. Duke e parë situatën, shumë klube tjera evropiane kanë shprehur interesim për Shaqirin, si: Liverpool, Manchester United, Borussia Dortmund, Galatasaray, Napoli, Roma, etj.
Ndërkohë, Bayerni ende duket të jetë i pavendosur për ta mbajtur apo për ta liruar yllin kosovar. Andaj, e ardhmja e Shaqirit pritet të qartësohet vetëm pas përfundimit të Botërorit, ku ai do t’i mbrojë ngjyrat e Zvicrës. Me paraqitje të mirë, vlera e tij mund të rritet shumë.
Behrami e Xhemaili vendosin pasi të kthehen nga Brazili
Ndërkohë, edhe e ardhmja e Valon Behramit e Blerim Xhemailit pritet të qartësohet pas Botërorit. Këta dy lojtarë thuajse sigurt do të ndahen me Napolin.
Xhemaili ka kontratë me napolitanët deri në vitin 2015, kurse Behrami deri më 2017. Por, asnjëri prej tyre nuk bëjnë pjesë në planet e së ardhmes të trajnerit të Napolit, Rafael Benitez. Për dy reprezentuesit kosovarë, interesim kanë shprehur shumë klube evropiane.
Por, Milani insiston më së shumti te Xhemaili, të cilin e duan edhe disa klube tjera italiane, angleze e gjermane. Kurse, Interi e pëlqen shumë Behramin, i cili po ashtu pëlqehet nga një numër i madh i klubeve. Por, edhe e ardhmja e këtyre dy lojtarëve do të mësohet vetëm pas Botërorit.
Për një të ardhme sa më të mirë, Behrami e Xhemaili duhet ta shfrytëzojnë garën më të madhe të futbollit. Do të ishte mirë t’i dëshmojnë kualitetet e tyre me ekipin helvetikë.
Edhe Xhaka mund të lëvizë
Kartoni i Granit Xhakës i takon Borussia Monchengladbachut të paktën deri në vitin 2017. Por, kjo nuk do të thotë se kosovari do t’i mbrojë ngjyrat e klubit gjerman deri në atë kohë. Xhaka është njëri prej futbollistëve më të mirë të kësaj skuadre, por komoditet i plotë i mungon kosovarit në Borussia Monchengladbachut.
Shpeshherë, lihet në bankinë. E krejt kjo situatë ka bërë që të përflitet me të madhe largimi i tij. Për prishtinasin të interesuara janë disa skuadra të njohura evropiane. Por, ditëve të fundit është raportuar shumë se Interi po bën përpjekje të mëdha për ta siguruar të ardhmen e tij, ndërsa Borussia Monchengladbachut ende s’është deklaruar zyrtarisht.
Sigurisht se edhe e ardhmja Xhakës do të mësohet pasi të kthehet me Zvicrën nga Amerika e Jugut.
Mustafi mund t’ia shohë hairin ftesës së Gjermanisë
Shkodran Mustafi ende pa u ftuar nga Gjermania kishte zgjuar interesim te shumë klube të mëdha evropiane.
Ndërsa, luajti apo nuk luajti fare në Botëror, vlera e tij është shtuar me prezencën e tij në Brazil. Andaj, gjasat janë të mëdha që mbrojtësi shqiptar do të ndahet me Sampdorian menjëherë pas Botërorit, për ta vazhduar karrierën në ndonjë klub më të madh. /Zëri/LUGINAPRESS





