Ndryshimet klimatike, si reshjet më të shpeshta, ashtu edhe temperaturat më të larta, dhe një parazit i tmerrshëm kërpudhor, po i kërcënojnë furnizimet e botës me kafe
Gjatë 24 orëve të ardhshme, bota do të pijë 1.6 miliardë filxhanë kafe, pija më e popullarizuar në planet, bashkë me ujin dhe çajin. Kafeja po ashtu përbën një biznes të madh: Eksporti global ka arritur në 28.6 miliardë dollarë më 2013 – pas naftës, kafeja është produkti më i tregtuar në botë.
Por ekziston diçka që e do kafenë edhe më shumë sesa që e duan njerëzit: Hemilia vastratrix, i njohur më mirë si ndryshku i kafesë. Ky është një parazit kërpudhor që mbijeton në gjethet e drunjtëve të kafesë, ndërsa vetëm gjatë sezonit të të korrave 2012-2013, hemilia vastratrix u ka shkaktuar humbje prej rreth 499 milionë dollarë prodhuesve të kafesë në Amerikën Qendrore.
Ç’është më e keqja, ndryshimet e mëdha të motit, si rezultat i ndryshimeve klimatike, janë duke e përshpejtuar përhapjen e këtij paraziti, ka raportuar National Geographic, dhe duke shkaktuar thatësira epidemike nëpër plantacione gjetiu në rajon. Fatkeqësia e dyfishtë mund të prishë gati dy të pestat e kafesë së Amerikës Qendrore. Ndryshku i kafesë, me origjinë kryesisht nga Afrika Lindore, infekton gjethet e drunjte të kafesë, duke i mbuluar ato me njolla të verdha që pengojnë fotosintezën, duke e lënë drurin të paaftë për të marrë frymë. Paraziti ka mbërritur në Hemisferën Perëndimore për herë të parë në vitet ’70, kur ai e ka prishur më shumë se gjysmën e kafesë së Amerikës Qendrore, duke u përhapur nga era dhe nga rrobat e punëtorëve imigrantë në rajon.
Shkencëtarët kanë krijuar disa specie të kafesë që i rezistojnë këtij paraziti. Por, këto lloj specie komerciale kanë gjene të kufizuara, përderisa ndryshku po vazhdoj të zhvillohet, duke zgjeruar shumëllojshmërinë e tij. Në termat evolucionarë, drunjtë e kafesë nuk mund të shtyhen me to.
Dhe, më 2010, ndryshku është rikthyer në një formë më agresive, kësaj here në Guatemalë dhe në Kolumbi. Deri në vitin 2013, paraziti ka infektuar tri të katërtat e kafesë së El Salvadorit, dhe më shumë se dy të tretat e kafesë së Guatemalës dhe Kostarikës. Jo vetëm Guatemala, por edhe Hondurasi dhe Kostarika kanë shpallur emergjenca kombëtare për të rritur fondet për pesticide.
Një arsye për kthimin e kërpudhës është se sporet e parazitit kanë nevojë për shumë lagështi për t’u zhvilluar – rreth një apo dy ditë shiu apo lagështie të vazhdueshme. Përderisa këto kushte normalisht ekzistojnë vetëm përgjatë sezonit të reshjeve, ndryshimet klimatike – termi për ndryshimet dramatike të motit që janë intensifikuar gjatë viteve të fundit – nënkupton se reshjet po ndodhin më shpesh. Kështu, viti 2010 ka qenë një vit jashtëzakonisht i lagësht në Amerikën Qendrore. Ndryshimet klimatike janë po ashtu përgjegjëse për thatësinë që i ka dëmtuar të korrat e kafesë së Brazilit, një vend i njohur si një ndër furnizuesit më të mëdhenj të botës me kafe.
Moti i çuditshëm nuk është i vetmi problem i lidhur me ndryshimet klimatike; problem tjetër është edhe ngrohja globale. Temperaturat më të larta janë veçanërisht telash për Arabikan, një lloj kafeje që përbën shtatë të dhjetat e prodhimit global të kafesë dhe që kërkon klima të ftohta për t’u rritur. Një studim i fundit ka parashikuar se deri në vitin 2080, ngrohja globale do t’i bëjë dy të tretat e plantacioneve aktuale shumë të nxehta për të kultivuar kafe Arabika, sipas Quartz.//luginapress//






