(I plotësuar) Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, ka hapur qendrën e votimit në Fakultetin Teknik në Prishtinë, në ora 7:00.
Vota e saj ka qenë e para në qendrën e votimit 1907E në vendvotimin 01R. Daka shpreson që gjithçka do të shkoj në rregull dhe pret që të gjithë qytetarët ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar.
“Unë e shfrytëzova të drejtën time kushtetuese dhe obligimin tim qytetarë. Shpresoj që të gjithë qytetarët me të drejtë vote do ta shfrytëzojnë këtë të drejtë do të dalin të votojnë ashtu siç edhe presim. Çdo gjë është gati vendet e vendvotimit gjitha janë hapur me siguri dhe unë shpresoj që çdo gjë do të shkoj në rregull”, ka thënë Daka.
Edhe menaxheri i qendrës 19 08 Avdullah Avdiu, ka thënë për Kosovapress, se gjithçka ka filluar me kohë në orën 7:00.
“Çdo gjë ka filluar me kohë është një pikë votimi të gjithë anëtarët e paraparë edhe vëzhguesit edhe komisionarët kanë ardhur me kohë dhe ka filluar në ora 7:00”, ka thënë Avdiu.
Ndryshe, qytetarët e Kosovës, sot nga ora 7:00 në mëngjes e deri në orën 19:00, kanë mundësinë që ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar. /Telegrafi/
——————————————————–
Hapen qendrat e votimit
Në gjithë territorin e Kosovës janë hapur 798 qendra të votimit me gjithsejtë 2 mijë e 374 vendvotime, ku 1 milion e 782 mijë e 454 persona do të kenë mundësi të votojnë për zgjedhjet e parakohshme.
Mbi 1 milion e 782 mijë qytetarë me të drejtë vote do të kenë sot mundësinë që të votojnë për subjektin e tyre të preferuar dhe pesë kandidatët për deputetë në përbërjen e ardhshme të Kuvendit të Kosovës.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sqaron të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës me të drejtë vote për procedurën e votimit në Zgjedhjet e Parakohshme Parlamentare për Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Si të votohet? Pas përfundimit të procedurave të legjitimimit në Vendvotim, votuesi do të pajiset me një Fletëvotim. Në anën e majtë të fletëvotimit, votuesi duhet të shënjojë kutinë përbri emrit të subjektit politik. Pra, duhet të zgjedhni VETËM NJË SUBJEKTI POLITIK. Kurse, në anën e majtë të Fletëvotimit, votuesi, duhet të shënjojë MË SË SHUMTI 5 kandidatë për deputetë.
Një nga pyetjet e shpeshta e cila ka ardhur në adresë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ka qenë: nëse vota e subjektit politik i llogaritet edhe liderit të subjektit politik?!
Përgjigjja është e thjeshtë: Lideri i një subjekti politik është i barabartë në mesin e kandidatëve të tjerë që janë në garë për deputetë. Kjo do të thotë se vota e subjektit politik nuk është automatikisht votë edhe për liderin e subjektit politik, nëse nuk është shënjuar numri i liderit të subjektit politik. Pra, votuesi, nëse dëshiron që vota e tij t’i shkojë edhe liderit të subjektit politik, duhet që të shënjojë numrin e liderit të atij subjekti politik. /Telegrafi/






