Home Aktuale Danielsson mbërriti në Shkup, takime intensive

Danielsson mbërriti në Shkup, takime intensive

1061
0
SHARE

Drejtori i Drejtorisë për Zgjerim të KE-së, Christian Danielsson ka nisur sot agjendën e takimeve në Shkup, në kuadër të vizitës dyditore.

Ai u takua me kryeministrin Nikolla Gruevski dhe zëvendëskryeministrin për evrointegrime Fatmir Besimi, por takimet dhe temat e diskutuara janë informuar vetëm përmes komunikatave për informim.

Në komunikatën e lëshuar nga dy kabinetet nënvizohet se në këto takime është diskutuar për dialogun pozitiv me Komisionin Evropian, agjendën e realizuar të reformave dhe vazhdimin e tyre si dhe prioritetet e tjera që kanë të bëjnë me formimin e Qeverisë së re.

Theks i veçantë i është kushtuar edhe zgjedhjeve të 27 prillit, ku është kërkuar që të merren parasysh rekomandimet e OSBE/ODIHR për evitimin e problematikave dhe parregullsive. Ndërsa, jozyrtarisht mësohet se në këto takime ka mbizotëruar kriza politike në vend, pas braktisjes së Parlamentit nga opozita si dhe zhvillimet e fundit në aspekte të ndryshme.

Danielsson takoi edhe liderin e BDI-së, Ali Ahmeti, pasi që kjo parti nesër do të zhvillojë kongresin partiak, por më pas edhe lidershipin e LSDM, Zoran Zaev dhe Radmila Sekerinska, të cilët nesër do të qëndrojnë në Bruksel në një takim me evrokomisionerin për zgjerim, Shtefan Fyle. Danielsson vizitën e vazhdon edhe nesër me takime të tjera të niveleve të ndryshme. (INA)