Home Aktuale Nikolic: Zgjedhjet në Kosovë, sfidë e madhe

Nikolic: Zgjedhjet në Kosovë, sfidë e madhe

803
0
SHARE

Serbia ende nuk ka marrë qëndrim përfundimtar për pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhjet e Kosovës. Presidenti i Serbisë Nikolic thotë se vendimi do të merret së shpejti.

Presidenti i Serbisë, Tomisllav Nikolic deklaroi pas takimit në Beograd me ministrin britanik për Evropën, David Lidington, se “Serbia me hapa të mëdhenj po shkon drejt Bashkimit Evropian” dhe se ajo “po punon për normalizimin e raporteve me Prishtinën”.

Por Beogradi, sipas tij, tani po përballet me probleme dhe sfida të mëdha, që kanë të bëjnë me zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Kosovë.

“Udhëheqësia e Serbisë së shpejti do të marrë një qëndrim të përbashkët për pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhje. Është shumë me rëndësi të dihet se në çfarë kushtesh do të votojnë qytetarët atje dhe cilat janë dobitë nga këto zgjedhje”, theksoi Nikolic.

Ndërsa Lidington u bëri thirrje serbëve, që të marrin pjesë në zgjedhjet parlamentare në Kosovë, sepse “vetëm në këtë mënyrë mund të legjitimohen, për të mundur të bisedojnë me bashkësinë ndërkombëtare”.

Lidington është takuar edhe me kryeministrin e Serbisë Aleksandar Vucic, të cilit i ka premtuar mbështetje për tejkalimin e pasojave të rënda të përmbytjeve të fundit.

Lidington ka kërkuar nga Vucic që serbët të mos bojkotojnë zgjedhjet parlamentare në Kosovë.

Edhe ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Dacic ka deklaruar se këto ditë do të merret vendimi përfundimtar për pjesëmarrjen apo jo të serbëve në zgjedhje.

Serbët e veriut kanë kërkuar që nga fletvotimet të hiqen stema dhe simbolet e tjera të shtetit të Kosovës. /dw/